46 ditë pa ministër të Shëndetësisë në kohë pandemie: Pse opozita kaq e butë me Albin Kurtin?

46 ditë pa ministër të Shëndetësisë në kohë pandemie: Pse opozita kaq e butë me Albin Kurtin?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar ministrin e ri të Shëndetësisë. Por, Kosova ishte për 45 ditë me radhë, në kohë pandemie, pa ministër të Shëndetësisë. Pse?

Kryeministri e emëroi një ish këshilltar të ish kryeministrit Hashim Thaçi, Rifat Latifin, në krye të ministrisë më të rëndësishme aktualisht në Qeverinë e tij.

Por, derisa opozita flinte edhe merrej me fushatë, Kosova në kohën e pandemisë Covid-19 qëndroi për 46 ditë të tëra pa ministër të Shëndetësisë.

Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë më 1 tetor për t’u angazhuar në fushatën elektorale për kryetar të Prishtinës.

Kurti nuk gjeti zëvendësimin e tij as pas disa orësh, as pas disa ditësh, por priti derisa përfundoi gara zgjedhore në Prishtinë.

Dafina Gexha-Bunjaki ishte ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë, pasi kishte qenë zëvendëse e ministrit Arben Vitia.

Shumë opinionistë ishin shprehur se Kurti po i ruante vendin Arben Vitisë, në rast se ai do ta humbte garën për Prishtinën. Dhe, Vitia e humbi garën por si duket nuk ka pranuar që të rikthehet në pozicionin e ministrisë.

“Nuk ka ndonjë hezitim prej nesh se ku do të angazhohet ai në të ardhmen. Por kjo i mbetet edhe atij që të vendos se ku do të angazhohet.” – tha në konferencën e sotme z. Vitia.

Por, pse vendi mbeti gjatë gjithë periudhës zgjedhore e gjatë gjithë periudhës së balotazhit pa ministër të Shëndetësisë?

Kryeministri as nuk u pyet e as nuk dha përgjigje në këtë pyetje, derisa opozita vazhdon të gëzohet për suksesin e arritur në zgjedhje lokale. /Persikopi

Shpërndaje në: