4886 zyrtarë publik kanë afat edhe nesër për deklarim të pasurisë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka rikujtuar të gjithë zyrtarët të cilët janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në këtë institucion që këtë duhet bërë saktë dhe në kohë.
Kjo agjenci rikujton se ka mbetur vetëm edhe një ditë nga përfundimi i afatit ligjore për deklarimin e pasurisë.
Deri më tash, sipas APK-së, deklarimin e kanë bërë gjithsej 3997 apo 77.71% e zyrtarëve të shtetit.
“Rreth 664 apo 13.59%, kanë filluar plotësimin e deklarimit të pasurisë”, shpjegon kjo agjenci.
Drejtori i Agjencisë Yll Buleshkaj, ju bën thirrje të gjithë zyrtarëve publik që deklarimin vjetor të pasurisë ta bëjnë saktë dhe brenda afateve ligjore dhe ri-kujton masat ndëshkimore ndaj zyrtarëve publik të cilët nuk i zbatojnë detyrimet ligjore për deklarimin e pasurisë.
“Rikujtojmë, që për vonesa deri në 15 dite, ligji parasheh shqiptimin e gjobës mandatore deri 500 euro, në rast të mos deklarimit të pasurisë, përveç gjobës, do të përgatiten edhe kallëzime penale dhe mund të dënohen me burgim deri 3 vite, ndërsa në rast të deklarimit të rremë, ndaj zyrtarëve do të përgatiten kallëzime penale dhe mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri 5 vite” ka bërë thirrje Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.
Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka nisur me 01 mars dhe do të përfundojë më 31 mars 2023.