5 gjërat që duhet t’i bëjë Kurti për të shmangur katastrofën në Kosovë më 2022

5 gjërat që duhet t’i bëjë Kurti për të shmangur katastrofën në Kosovë më 2022

Qeveria Kurti II la shumë për të dëshiruar gjatë vitit 2021. Por, çka duhet të bëjë Kurti me Ekzekutivin për të shmangur ‘katastrofën’ në vitin 2022? 

Viti 2022 pas Lindjes së Krishtit nuk pritet të jetë aq i lehtë për popullin e Kosovës, pavarësisht sa njeriut e profilit të rremë i themi “urime” në Facebook e pavarësisht se sa pëlqime i marrim në ato urime. Një varg krizash të ndryshme kanë kapluar vendin, filluar nga ajo shëndetësore e vazhduar me krizën ekonomike, krizën energjetike, krizën sociale dhe krizën e demokracisë.

Prandaj, një reagim i shpejtë dhe i vendosur i Qeverisë Kurti II është i domosdoshëm që situata në vend të mos përkeqësohet më tej.

Po i numërojmë nja pesë hapa të shpejtë e të domosdoshëm!

1 – Strategjia e Re Energjetike

Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike e shpejt mund të përballet edhe me fryrje të faturave. Fakti që kryeministri e ka cilësuar të lirë rrymën sa ishte opozitar, nuk do të thotë asgjë. Kryeministri i ka hëngër fjalët e veta në qindra e qindra raste. Prandaj, qytetarët duhet ta kuptojnë se kur të shohin faturën e rrymës në ndonjë nga muajt e ardhshëm dhe të mos u besojnë syve, bash syve duhet t’u besojnë.

Qeveria Kurti II – e cila ka refuzuar projektin e gazit amerikan dhe ka anuluar kontratën me Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re – e ka për obligim që menjëherë t’i ofrojë vendit orientimin e ri për mënyrën apo mënyrat se si vendi do të prodhojë energji elektrike në vitet që vijnë. Duhet investim! Por, paraprakisht duhet të mendohet se kah të orientohen investimet.

Diversifikimi i burimeve të energjisë mbetet po ashtu një çështje që meriton trajtim konkret në strategjinë në fjalë. A duhet të jetë i përnjëhershëm apo gradual dekarbonizimi? Çka duhet të bëhet me termocentralet ekzistuese? A duhet ta ndërtojmë një termocentral të ri?

Nëse heziton që ta bëjë këtë strategji, e ku duhet përfshirë edhe opozita, Kosova mund të përballet përveç reduktimeve dhe shtrenjtimit të rrymës edhe me telashe të jashtëzakonshme ekonomike, me humbje të mëdha nga bizneset (sidomos ato të mesme dhe të vogla), me rritje të papunësisë etj.

Kujtojmë se Qeveria Kurti II e kishte publikuar një Program absolutisht qesharak në muajin maj të vitit të kaluar, duke i kushtuar vetëm dy paragrafë për mandatin qeverisës katërvjeçar sektorit të energjisë.

2 – Krijimi i një klime më të mirë për biznese

Bota po përballet me krizën e klimës. Por, për dallim nga bota, Kosova po përballet me krizën e klimës për biznese. Ardhja e Albin Kurtit në pushtet vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen për shkak të narrativës së tij të gjatë që shpesh mund të cilësohej edhe si anti-biznes.

Kryeministri Kurti në disa raste deri tash është konfrontuar keq me realitetin. Ai ka pretenduar rritje të punësimit, rritje të ekonomisë dhe rritje të investimeve nga jashtë përkundër që të gjitha këto nuk ishin rrjedhojë e politikave të tij, por një reagim i natyrshëm i ekonomisë siç ka ndodhur edhe me të gjitha vendet fqinjë. Po ashtu, harruam ta përmendim që Kurti i ka lënë meritën vetes edhe që mërgimtarët iu dërguan më shumë para në vitin 2021 familjarëve të tyre. Ndërkohë, rritja enorme e çmimeve praktikisht i bëri më të varfër të gjithë qytetarët.

Por, sado që Kurti të mos pajtohet me realitetin, realiteti do të vazhdojë të ekzistojë. Ju do të jeni i papunë, edhe nëse Kurti thotë që jeni punësuar! Ju do të merrni pagën që merrni, edhe nëse Kurti thotë që merrni më shumë se që merrni! Ju do të sëmureni, edhe nëse Kurti thotë që jeni i shëndoshë si molla! E kështu me radhë!

Prandaj, menjëherë pasi kryeministri Kurti të pajtohet me realitetin është i domosdoshëm krijimi i një atmosfere më të mirë për njerëzit që hapin vende pune në Kosovë! Investimet e huaja direkte tashmë janë domosdoshmëri që një pjesë e rinisë kosovare të gjejë perspektivën e munguar brenda Kosovës. Por, e rëndësishme është edhe që investime të bëhen nga biznesmenë kosovarë, që njësoj si të gjithë ne po ndjejnë ankth financiar në këto kohë. Prandaj, duhen pako shtesë ndihmash, lehtësim procedurash burokratike, dalje nga retorika denoncuese e dikurshme, rritje drastike investimesh kapitale nga buxheti i shtetit dhe vazhdim i përmirësimit të infrastrukturës së nevojshme për bizneset.

E gjithë kjo klimë e favorshme për bizneset, do të ishte njëkohshëm edhe klimë e favorshme për punëtorët e këtyre bizneseve që sa për përkujtim janë edhe qytetarë të Kosovës.

3 – Të shkarkojë Vjosa Osmanin, të heqë nga koalicioni Listën Vjosa!

Le të bëjmë sikur po e shohim atë që po e shohim: Vjosa Osmani nuk e meriton të jetë presidente e Kosovës! Prindon Sadriu nuk e meriton të jetë Zotriu i Parë i Kosovës (edhe pse së fundi u shpall Personalitet i Vitit 2021 nga Periskopi)! Donika Gërvalla Schwarz nuk e meriton të jetë shefe e diplomacisë kosovare! Faton Peci nuk e meriton të jetë ministër i Bujqësisë! Haxhi Shala… kësi Haxhi Avdyli, nuk do ta meritonte asnjë pozicion ministror!

Të ndalemi te Vjosa! Sjellja e saj në këtë pozitë nuk ishte siç e kërkon fryma e Kushtetutës. Në vend se të ishte përbashkuese dhe unitare, Vjosa ishte polarizuese dhe përçarëse! Merreni me mend, Glauk Konjufca është madje edhe nënkryetar i Vetëvendosjes, por ka sjellje larg më të pranueshme politikisht se sa Osmani që sillet ngjashëm si profilja e rrejshme Via Smith në Facebook.

Për më tepër, Osmani është ende në përpjekje që ta formojë partinë e saj politike me anë të anëtarëve të Listës Vjosa ose Guxo ose qyshdo që e quajnë veten. Ata që mendojnë se Vjosa nuk është aspak e përfshirë në çeljen e Listës Vjosa duhet ta kuptojnë që Babadimri nuk ekziston!  Ajo madje kishte zhvilluar takime me anëtarë të partisë së saj edhe në Zyrën e Presidencës!

Për më keq, përplasjet nga degë të ndryshme të listës që i mblodhi Vjosa Osmani e ekspozuan keq presidenten dhe anëtarët e tjerë të partisë.

Prandaj, nëse nuk ndërron radikalisht qasjen qeverisëse, atëherë Kurti duhet që së paku të heqë nga koalicioni partinë e Vjosa Osmanit dhe Vjosa Osmanin në vitin 2022. Secila prej partive opozitare ka larg më shumë njerëz të përgatitur profesionalisht se sa Lista që është aktualisht në koalicion qeverisës. Madje, edhe partitë e mbetura jashtë Kuvendit si Nisma me PSD-në. E madje edhe Partia Fjala.

4 – Inspektim i çmimeve të rritura

Përkundër që kishte premtuar se do të ulte çmimet bazë të produkteve bazë, kryeministri Kurti nuk do ta realizojë një premtim të tillë. Sidoqoftë, Kurti duhet të intensifikojë punën e inspektorëve të cilët kanë munguar derisa çmimet u rritën e u rritën gjatë vjeshtës së 2021-s, me raste edhe në forma abuzive.

Pra, shteti nuk ishte në krye të detyrës për të mbrojtur popullin as për aq pak sa i takonte.

Çka nëse shumë prej çmimeve të rritura që kemi parë kanë qenë jo thjesht rrjedhojë e arsyeshme e rritjeve të çmimeve nëpër tregje tjera por edhe rrjedhojë abuzimesh? Deri tash, nuk kemi parë asnjë biznes të dënuar për një gjë të tillë.

Në vend të kësaj, çmimet rriteshin në mënyrë arbitrare nëpër shumë e shumë biznese. Nëse një situatë e tillë e rritjes së çmimeve vazhdon, mungesa e inspektimeve mbi arsyeshmërinë e rritjeve të çmimeve, do ta lëndojë edhe më zi mirëqenien e popullit.

5 – Ringjallje të procesit të ndërkombëtarizimit të shtetësisë së Kosovës

Kosovën e pret një tjetër vit i rëndësishëm sa i përket dialogut me Serbinë. Kosova vazhdon të përballet me trysninë ndërkombëtare përkundër që Kurti megjithatë ka bërë lëshimet e nevojshme për rifillimin e tij në qershorin e 2021-tës. Por, Kurtit i mungoi strategjia!

Në vend se të kërkonte ‘garanci’ që Kosova dhe Serbia të mos e sulmonin ushtarakisht njëra-tjetrën, Kurti do të duhej të ofronte një ide alternative për të shmangur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në vend se të mendojë për reagimin momental të popullit, të cilin e konsideron analfabet, Kurti do të duhej të mendonte të ardhmen e këtij populli. E ardhme që po i nxihet përditë!

E gjithë situata aktuale duket pa shtegdalje. Dhe kjo mungesë e shtegut dalës, mund ta fus Kosovën në një trajektore edhe më të rrezikshme të shtetndërtimit të saj. Mungesa e konsolidimit të shtetësisë ndërkombëtarisht duhet parë me alarm nga të gjithë qytetarët e vendit. Nuk ka njohje të reja. Nuk ka anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Nuk ka fjalë të rëndësishme nga liderë botërorë që afirmojnë shtetësinë e Kosovës. Ka fjalë boshe dhe prapakthim rrënues për vendin.

Kurti duhet të sqarojë me veten e tij qëndrimin për Marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020. Po ashtu, kryeministri i Kosovës duhet ta qartësojë për veten e tij, edhe marrëdhënien me dialogun që përcakton fatin e Kosovës, por edhe marrëdhënien me vet shtetin. Një gjë e tillë, mund të shmangë edhe katastrofën e një viti tjetër në bllokadë.

Shpërndaje në: