6 vendet e Ballkanit presin samitin e BE-së

6 vendet e Ballkanit presin samitin e BE-së

Samiti i vendeve anëtare të BE-së që do të mbahet sot e nesër në Bruksel, pritet të jetë determinues për shumë zhvillime. Në këtë samit i cili mbahet nën presidencën franceze të BE-së, dhe nën presionin e agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, vendimet pritet të kenë ndikim edhe për vendet e Ballkanit perëndimor.

Me gjithë telashet e mëdha që janë në rajon, pritet të ketë një qartësim më të madh për atë që do të ndodhë muajve në vazhdim në raportet e BE-së me shumë zhvillime politike dhe të sigurisë.

Në këtë kontekst, Kosova pret caktim të datës për liberalizim të vizave, një proces ky i stërzgjatur, kur dihet se ka mbetur tash e 12 vjet, vendi i vetëm në rajon, qytetarët e të cilit ende duhet të pajisen me viza për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen.

Një të drejtë të tillë të lëvizjes së lirë, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut e kanë fituar në vitin 2009 kurse Shqipëria e Bosnje e Hercegovina në vitin 2010.Në anën tjetër, Shqipëria e Maqedonia  e Veriut presin më shumë qartësi, nëse do të marrin datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për në BE tash e 17 vjet, por vetoja e Greqisë për emrin e saj kushtetues, e la atë në korridor për gati dy dekada.

Tani, kur pengesa për emrin u zgjidh, është Bullgaria ajo që ka vendosur pengesën e radhës, duke kërkuar zgjidhjen e mospajtimeve për gjuhën e historinë.

Krahas Maqedonisë së Veriut, është edhe Shqipëria e cila pa dëshirën e saj, është vendosur në një pako me Maqedoninë e Veriut.

Kjo do të thotë se pengesat që ka Shkupi, po e penalizojnë edhe Tiranën e cila nuk ka asnjë telashe me Bullgarinë.

Kështu,  Shqipëria një status të tillë të vendit kandidat për anëtarësim në BE  e ka marrë në qershorin e vitit 2014, por edhe më tej vazhdon të presë.

Jo rrallë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur dufin e tij ndaj kësaj situate, duke kërkuar  që secili vend të ecë vetë në rrugën e integrimeve.

Ndërkohë, Serbia e cila ishte ndër të fundit në këtë proces, jo vetëm që ka filluar negociatat për anëtarësim, por ka arritur të përmbyllë disa kapituj.

Statusin e vendit kandidat, Serbia e mori në marsin e vitit 2012, kurse bisedimet për anëtarësim i filloi në janarin e vitit 2014.

Megjithatë, raporti i saj i ngushtë me Rusinë dhe qëndrimi ndaj Kosovës, i kanë kushtuar me zvarritje.

Sidoqoftë, me iniciativën për ‘Ballkanin e Hapur’, ku bën pjesë Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut,  pritet edhe reagimi i parë i këtyre vendeve përballë BE-së.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, kanë paralajmëruar se nuk janë të entuziazmuar për të marrë pjesë të enjten në Samitin e BE-së në Bruksel.

Madje ata kanë thënë se sot (e mërkurë) në mesditë, pasi të konsultohen mes vete, do të njoftojnë nëse do të marrin ose jo pjesë në këtë samit.

Nëse këto tri vende do të bojkotojnë këtë samit, do të ishte hera e parë që shtetet e Ballkanit perëndimor, do të refuzonin të merrnin pjesë e dëgjonin se çfarë ka për të thënë e për të bërë Brukseli zyrtar në raport me to.

Kjo pasi të enjten, samiti do t’i kushtohet vendeve të Ballkanit perëndimor.

Ndërkohë, në këtë samit, do të marrë pjesë Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, që nuk janë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Kosova në këtë rast do të përfaqësohet nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Shpërndaje në: