62 ndërmarrje në dorë të uzurpatorëve
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ende nuk ka arritur që t’i lirojë edhe 62 asete nga uzurpatorët e identifikuar, ndonëse një aksion të tillë bashkë me Policinë dhe Prokurorinë e kishin nisur në prill të këtij viti. Por, pas këtij aksioni AKP-ja në mënyrë simbolike ka vazhduar me lirimin e pronave të uzurpuara, madje për një kohë të gjatë nuk është marrë ndonjë aksion.
Por, pavarësisht kësaj zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka thënë se aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara po vazhdon dhe nuk është ndërprerë, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka thënë se kanë mbetur edhe 62 raste të uzurpimeve. Ai thotë se Bordi i Drejtorëve nuk ka diskutuar asnjëherë për ndërprerje të aksioneve për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit e paligjshëm. Përkundrazi, sipas tij, menaxhmenti e informon në vazhdimësi Bordin e Drejtorëve me ecurinë e procesit të lirimit të aseteve nga shfrytëzuesit jolegalë dhe me rezultatet e deritashme nga aksionet e ndërmarra.
“Aksionet për lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm po vazhdojnë dhe nuk janë ndërprerë. AKP-ja po vazhdon me të gjitha aktivitetet ligjore që kanë për qëllim lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së, do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet gjithnjë në bashkëpunim me institucionet e rendit, në përputhje me mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Aksionet për dëbimin e uzurpatorëve do të ndërmerren në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim” ka thënë ai.



