A do ta shpëtoj Eliza Hoxha, PDK-në?

A do ta shpëtoj Eliza Hoxha, PDK-në?

Ditë më parë, Eliza Hoxha u bë pjesë e PDK-së, partisë që udhëhiqet nga analfabetët Thaçi e Veseli. Dikur Eliza ishte këngëtare, por tash punon si arkitekte e s’di çka tjetër.

Por, çka i vyen PDK-së, ku ende gjallon kriminaliteti e budallallëku si të ndërthurur, një figurë si zonja Elizë? Çka ka në punën e saj si këngëtare, apo si arkitekte, apo në paraqitjet e saj publike që e bën të vyeshme për një parti që po e sheh fundin e vet?

Eliza mund të ishte edhe ekonomiste, juriste a çkado, dhe kjo nuk do të kishte kurrfarë dallimi. Ajo nuk është pjesë e PDK-së si eksperte e ndonjë fushe, por si imazh i caktuar e me ndikim te votuesit e qendrës në kërkim të figurave e figurinave dekoruese më urbane. E vërteta është se zonja Elizë nuk thotë ‘kty’. Ajo ka theks të pranueshëm, e bile edhe elokuencë të admirueshme në krahasim me kryetarin nominal apo anëtarin e rëndomtë të partisë.

PDK-ja, si një grupacion i dalë nga lufta, ka trashëguar lidhje të forta me klasën rurale e të varfër. Nejse, jo veç për këtë shkak. Por natyrisht, edhe për këtë shkak. Shumica e njerëzve që respektohen nga fshatarë të varfër në qyteza e fshatra të Kosovës janë ish-luftëtarët e UÇK-së. PDK-ja bëri shtrirjen dhe aktualizimin e vazhdueshëm të pushtetit të saj elektoral, që nga paslufta, përmes këtyre njerëzve. Por, ajo paralelisht e ndërtoi edhe një klientelë të gjerë e të fortë. Një klientelë hierarkike. Dhe kështu, pati fërkime mes njërës dhe tjetrës. Dalëngadalë lidhjet e saj me zonat rurale e të varfra u bënë më fragjile.

Për më tepër, ashtu siç u urbanizua më tej Prishtina me qytetet e tjera, u urbanizuan edhe qytezat e vogla me fshatra. Tashmë, kërkesa e pavetëdijshme e shtresës së varfër e fshatare për një përfaqësues politik primitiv është rrudhur. Jo, edhe këta njerëz janë pjesë aktive e qendrës. Shprehin të njëjtën kërkesë për përfaqësim më urban e më elokuent. Nuk duan belbanë si Thaçi, Haradinaj e Veseli, më.

E pra, këtu hyn Eliza Hoxha. Duke i pasur lidhjet me ruralen e varfër të dobëta dhe resurset për klientelizëm të harxhuara, PDK-ja kërkon një përforcim të imazhit të saj sipas kërkesës shoqërore. Eliza sot mund të ketë peshë edhe më të madhe se Ganimete Musliu, marrë parasysh lidhjet e saj me figura të tjera të respektueshme publike, dhe ndikimin e madh në imazh te votuesit e qendrës.

Votuesit kosovarë nuk janë statuja. Ata janë njerëz të ndikueshëm e korruptueshëm. PDK-ja i ka humbur shumë prej tyre, dhe jo veç pse ka qenë kriminale e hiperkorruptive por edhe sepse nuk është marrë me imazhin siç merrej e merret Lëvizja Vetëvendosje. Elektorati kosovar po kërkon dekor, e prandaj PDK-ja po lëngon t’i ofrojë një korrupsion të dekoruar.

Tashmë, shkaku i vizionit të ngushtë prej budalle të liderëve të saj, PDK-ja ka mbetur pa aleatë politikë për qeverisje në zgjedhjet e ardhshme. Për më tepër, në dy qeveritë e fundit – edhe pse partia më e votuar – ajo është detyruar që ta lëshonte postin e kryeministrit. Kjo ishte fitore e madhe e e pakënduar e dy palë zgjedhjeve të fundit. PDK-ja është në panik. Dhe, në shpurdhjet e saj dëshpërimtare, e përçau Lëvizjen Vetëvendosje para një viti e gjysmë, do të provoj ta vendos si kryetar të LDK-së Lutfi Hazirin, do të përpiqet të punësojë sa më shumë njerëz, tinëzisht, dhe natyrisht ndërkohë do të blejë dekore si Eliza Hoxhën.

Shpërndaje në: