A do të jetë Rrahman Jasharaj president i Kosovës?

A do të jetë Rrahman Jasharaj president i Kosovës?

Ligji i Pagave. Marrëveshja për Koalicion Qeveritar. Skandalet e FFK-së. Këto ishin tri temat më të rëndësishme të javës që po mbaron sot.

Rrahman Jasharaj u rikthye në skenën publike sërish. Njeriu i grevave u duk i pakënaqur kur Gjykata Kushtetuese mori vendimin që ta pezullonte përkohësisht Ligjin e Pagave pas ankesave të Avokatit të Popullit. Bashkë me të, ishin edhe dy krye-sindikalistë të tjerë, ai i mjekëve dhe tjetri i policëve.

Gjatë këtij viti, Jasharaj fitoi çdo betejë që e kishte me kryeministrin e Kosovës. Luftoi për rritje të pagave, u fut në grevë dhe fitoi. Iu kërkua që të kompensoheshin orët, nuk pranoi, kërcënoi me grevë dhe fitoi. U kërkua testimi i mësimdhënësve, kërcënoi sërish me grevë, dhe po fiton. Por, fitoret e tij janë të përvitshme. Ndaj çdo kryeministri me të cilin u përball.

Por, kësaj here Jasharaj u fut në betejë me hiç më pak se Gjykatën Kushtetuese, e cila në dhjetë vitet e fundit ka rrëzuar dy presidentë, ka përcaktuar rrjedhën e bisedimeve në Bruksel e lojën politike në vend. E megjithatë, Jasharaj do të fitojë sërish.

Ligji i Ri i Pagave bën që mësimdhënësi i shkollës së mesme të paguhet 800 euro ndërsa mësimdhënësi i fillores 600. Një shpërblim ky për mbi 20 mijë viktima në vit që prodhon sistemi ynë arsimor. Për fuqinë e pakualifikuar punëtore që mund të paguhet edhe me vetëm 130 euro. Për PISA-n.

Në ndërkohë, VV dhe LDK vazhduan me takime për të arritur marrëveshje për qeverinë e re. Kjo marrëveshje nuk po arrihet shkaku i pozitës së presidentit të vendit. Qytetarët e dinë se çka kërkon LDK-ja, ajo e do postin e presidentit, por nuk e dinë ende se çka kërkon partia që udhëhiqet nga z.Kurti.

Seanca që do të konstituojë Legjislaturën e  VII të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 26 dhjetor, ndërsa Kurti do t’i ketë edhe 15 ditë kohë tjera për t’u bërë kryeministër.

Sidoqoftë, ndërsa telashet në politikë vazhdojnë, skandalin më të madh të javës e prodhoi Federata e Futbollit të Kosovës [FFK-ja]. Kjo federatë doli se kishte falsifikuar deklaratat e presidentëve të UEFA-s dhe FIFA-s që thuhej se i jepnin mbështetje presidentit Agim Ademi dhe krerëve tjerë të federatës. UEFA për Periskopin kishte deklaruar se në fakt kjo organizatë nuk përzihej në zgjedhjet e brendshme të federatave të saj anëtare.

Megjithatë, FFK-ja është në dorën e një personi të dënuar për kërcenim dhe sulm fizik në tentativën për t’ia ndryshuar statusin një toke, nga tokë e gjelbër në tokë për ndërtim. Pra, Agim Ademi është një ndër ndërtimtarët e frikshëm që nuk njohin parametra të caktuara për ndërtim, dhe që në ndonjë tërmet të ngjashëm me atë në Shqipëri, do të mund të ishin përgjegjësit kryesorë për jetë të humbura.

Ndërkohë që sot Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate. /Periskopi

Shpërndaje në: