A do të shihet Kurti në Amerikë me Gazin e 50 milionëve?

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti sot është në ShBA. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, atje do të takojë – veç tjerësh –  edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, të organizatave e ndërmarrjeve. A do ta takojë Kurti edhe Gazin e famshëm të 50 milionëve – që ia premtoi Kosovës në rast të fitores së Albinit? Kurti fitoi dy herë që prej këtij premtimi, por Gazin bashkë me premtimin e vet, nuk e pamë më kurrë…

Në prag të zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019, videoja më poshtë ishte shpërndarë nga Albin Kurti, tani kryeministër.

Kjo video, e cila që prej atëherë shërben si brum për tërmet memesh në rrjetet sociale, ishte pjesë e fushatës së Kurtit për ta ‘kthyer trurin në atdhe’.


(Pjesa më e përdorur për meme në rrjete sociale)

Truri që flet në video, është biznesmeni i njohur shqiptar (sidomos pas kësaj videoje), z.Gazmend Gjonbalaj.

Ajo që ishte befasi në video, nuk kishte të bënte as me emrin e Kurtit e as me emrin e biznesmenit Gjonbalaj, sa ishte befasi shuma e parave që ky i fundit premtoi në rast se Vetëvendosje do të fitonte pushtetin në Kosovë. Zoti Gjonbalaj, ia premtoi Kosovës 50 milionë euro në rast të fitores së Kurtit.

Kurti ka fituar dy herë prej atëherë, madje herën e fundit, me një fitore 50+ për qind. Por, që prej atëherë, zotin Gjonbalaj dhe 50 milionët nuk u përmëndën më kurrë.

Sidoqoftë, teksa kryeministri jonë ka udhëtuar për në ShBA, sipas njoftimit të Kryeministrit, atje – veç tjerash – Kurti do të takohet edhe me “…udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan”.

Nuk dihet nëse mes tyre, kryeministri do të takojë edhe z.Gjonbalaj dhe a do të flasin për premtimin e 50 milionëve./Periskopi/