A do të zhduket kombëtarja e Kosovës?

A do të zhduket kombëtarja e Kosovës?

Duke qenë se futbolli është sporti më popullor në botë, fare natyrshëm përmerr me raste forcë të jashtëzakonshme politike. Kjo forcë politike e futbollit u shpreh gati dhunshëm edhe në Kosovë kur Kombëtarja e Kosovës i heshti ose përdredhi ligjërimet etnike për Bashkim me Shqipërinë. Albin Kurti shkoi në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen kundër Malit të Zi. Tifozëritë lokale ultra-nacionaliste si Plisat, Torcidat etj. u detyruan që ta fshihnin kokën përkohësisht. Dashuria për Kombëtaren u bë aq e madhe e aq popullore sa popullistët përnjëherësh u hutuan.

Në fund të marsit të 2019-s shkova në “Fadil Vokrri” për ta parë ndeshjen e Kosovës me Bullgarinë. Tifozëria ishte aq cinike, e pazemër e mediokre sa më tronditi. Kështu, dhashë parashikimin se përkrahja për Kombëtaren e Kosovës do të humbej shpejt – sapo të nisnin rezultatet negative. Në shtatë ndeshjet e fundit, Kosova ka humbur gjashtë herë dhe ka barazuar një herë – dhe përkrahja duket se ka rënë përtokë: lojtarët më të mirë të Kosovës po shahen e linçohen egërsisht prej tifozëve të Kosovës. Parashikimi im – për të cilin unë u shava keq në atë kohë – duket që u realizua. E megjithatë, nuk u realizua.

Përkrahja e jashtëzakonshme për Kombëtaren e Kosovës nuk erdhi shkaku i rezultateve pozitive e lojës argëtuese të saj. Përkrahja e jashtëzakonshme për Kosovën ishte e është kryekëput politike: shprehje alternative e identitetit të mohuar kombëtar, të mohuar nga rrethana ndalimi (Jugosllavia/Serbia) e mashtrimi (Shqipëria).

Kosovarët nuk e kishin menduar veten asnjëherë si kosovarë para viteve ’90. Ata kishin besuar, ndoshta sinqerisht, se ishin shqiptarë meqë e flisnin një gjuhë të ngjashme me shqipen dhe se ndoshta e kishin një histori të përbashkët. Pa asnjë hezitim pranuan bile edhe supremacinë gjuhësore të standardit dhe e çmësuan aq sa mundën gjuhën amtare (kosovarçen) për ta marrë toskërishten (standardin). Mirëpo, ishte zatetja (encounter) e viteve ’90 me ata që ishin tamam shqiptarë ajo që i qepoi fort ndrydhjes dekadore të identitetit kosovar: ishim ndryshe, me tjetër kulturë, tjetër ekonomi, tjera memorie për 100 vjet, dhe koha nuk kthehej pas.

Kosovarët kësisoj nuk e mendonin më veten si shqiptarë por si kosovarë. Ata panë futbollistët e tyre derisa luanin për Zvicrën, më pas Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Finlandën etj, dhe iu ndez në ndërdije dëshira për t’u ndjerë të përfaqësuar si kosovarë. Kosova si kombëtare nuk është derivat rrethanash të huaja, nuk është tëhuajsim identitar, nuk është thjesht përfaqësuese. Ajo bartte një dëshirë autentike për një përfaqësim autentik e të pavarur.

Kombëtarja në futboll u bë një nga mutacionet e mëdha të një evolucioni identitar te kosovarët.

Prandaj, zhgënjimi i tifozëve të Kosovës me rezultatet e fundit – përkundër që shpreh edhe një kulturë të keqe në sferën publike, të mbushur me gjuhë të urrejtjes e mosdurimit – është i përkohshëm e i përmbysshëm. Nuk ishte dashuria momentale, në fakt është dëshpërimi aktual i tillë. Prandaj, kombëtarja e Kosovës nuk do ta humbë përkrahjen e madhe të tifozëve të saj të cilëve sapo t’iu jepet rasti do të turren në stadium duke qenë të kënaqur që më në fund mund të shprehin identitetin e tyre.

Kosova nuk varet nga rrebet e disa individëve. E ardhmja e saj është krejt e sigurt.

Shpërndaje në: