A është militanti i Vetëvendosjes specie në zhdukje?

Periskopi.com Lajme

Militanti ishte pararoja e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Ishte Garda Pretoriane e tij. Ai ishte kudo. Por, sot, militanti i VV’së është në kulmin e dëshpërimit. Nuk shkon javë që nuk bëhet publik largimi i ndonjërit prej tyre nga VV’ja. Çfarë pasojash do të kenë për VV’në këto largime? Cilat do të jenë përfitimet e skenës politike nga zhdukja e kësaj specie të militantit politik? Lexojeni në artikullin e mëposhtëm të Periskopit….

Enis Syla është nga Podujeva. Mund të jetë edhe nga ndonjë fshat aty përreth. Ai është një aktivist i moçëm i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë. Këto ditë, ai po zhvillon një betejë politike nëpër rrjetet sociale. Jo me aktivistët e LDK’së, PDK’së a AAK’së. Telashet dhe kundërshtitë këtë herë i ka më bashkëpartiakët e tij, të Vetvendosjes.

Syla, nga ato që poston nëpër rrjete sociale, duket të jetë mllefosur më politikat e kryetarit të Podujeves, Shpejtim Bulliqi, një ish kuadër i thekur i LDK’së, por që garën në zgjedhjet lokale e fitoi nën siglën e VV’së.

Shkaku i paknaqësisë me politikat e VV’së në komunën e tij, është bërë emërimi i një Ahmet Ahmetit në dy pozita zyrtare, ushtrues detyre i shefit të Inspekcionit si dhe zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Ndaj, Ahmetit VV në këtë komunë dikur kishte ngritur kallëzim penal për shkeljet, që sipas VV’së, ky i kishte bërë.

E papërballushmja për Sylën, është se emërimi i Ahmetit është bërë nga kryetari Bulliqi. Ky veprim i partisë dhe kryetarit Bulliqi, për një aktivist dhe militant si Syla, përbën rrënim të botës së idealizuar politike të cilën ia kishte injektuar propaganda shumëvjeçare e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit.

Paknaqësinë ndaj Vetëvendosjes nuk po e përjeton vetëm Syla i Podujevës.

Tashmë kjo paknaqësi brenda radhëve të militantëve dhe aktivistëve të VV’së ka filluar të përhapet si epidemi. E përbashkëta e të gjithë atyre të cilët po largohen apo shprehin hapur mospajtim më politikat e Kurtit dhe VV’së është zhgënjimi.

“Strukturat e SHIK’ut janë akomoduar në VV. Në kohët e vështira isha i rëndësishëm për ta, në pushtet e komoditet i padëshirueshëm!”, shkruante para disa ditësh Ramiz Halilaj nga Drenasi, një aktivist i moçëm i VV’së nga Drenasi.

Po në këtë shkrim Halilaj bënte publike dorëheqjen nga VV’ja. Në pak rreshta, ai tregonte se ‘shtëpia e tij kishte qenë bazë për partinë në Drenas’.

Marrë parasysh rrethanat në atë komunë, nuk duhet të ketë qenë e lehtë për Halilajn të jetë aktivistë i VV në Drenas. Vetëm një dëshpërim i madh duket ta ketë sjellë një aktivist kaq të devotshëm deri te ky vendim.

Jo më pak i dëshpëruar dhe mllefosur se Halilaj i Drenasit është Blerim Saramati nga Prizreni. Edhe Saramati, njëri ndër themeluesit e degës së VV’së në këtë qytet, dje, në një shkrim të gjatë e bëri publike dorëheqjen e tij.

“Grupet e caktuara, Kryesia Qendrës në Prizren dhe Kryesia Qendrore në Prishtinë e kanë “haram” gjithë djersën, mundin, sakrificën dhe aktivitetin tim. Kurrë nuk mund të ua bëjë “hallall”, përgojimet, përbuzjet, sulmet, sharjet, etiketimet, anatemimet. Le ti mbajnë si flamur i ndërgjegjies së tyre të rrënuar! Unë nuk mund të vazhdojë akoma me të tillë njerëz. Prej sot jam qytetar i lirë i çliruar nga prangat politike dhe kurthi i egoizmave, arrogancave dhe diktateve të liderëve dhe liderucëve aktual të Lëvizjes.” –  shkroi zemërthyer Saramati.

Saramati ishte një figurë e rëndësishme dhe e respektuar e VV’së në Prizren. Largimi i tij, siç është parë nga reagimet në rrjete sociale, i ka dëshpëruar tej mase mbështetësit dhe militantët e VV’së.

Më i shkurtër dhe aspak emocioanal ka qenë shkrimtari Adem Gashi, i cili u largua nga VV’ja pas katër vitesh në këtë parti.

“Ditë e bukur sot për t’i thënë lamtumirë VV’së pas katër viteve. Adios!”, ka shkruar shkurt Gashi në Facebook. Përvoja e gjatë nëpër institucione politike, forume e organizata të ndryshme, duket ta ketë bërë më pa dhimbje për Gashin largimin nga kjo parti.

Ikje masive, largim dhe ftohje nga LVV ka në gjithë Kosovën. Edhe jashtë vendit.

Kohë më parë Gëzimi Mekuli, një militant poashtu i moçëm i VV’së nga Skandinavia, që pretendon të jetë edhe gazetar, kishte një blog të tij, me të cilin villte vrerë mbi kundërshtarët politikë dhe medial të partisë së tij. Para pak ditësh edhe ai e bëri publike mbylljen e bllogut të tij, me arsyetimin se “mori fund puna vullnetare”.

Cilat mund të kenë qenë motivet që Mekuli pas shumë vitesh, pikërisht në kulmin e pushtetit të VV’së të dorëzohet nga puna e tij propagandistike? Zhgënjimi? Injorimi? Harresa nga nëna parti duke mos ia hedhur asnjë kothere sa për të mbajtur gjallë blogun e tij? Nuk dihet. Por, ajo që dihet është se tash VV’ja, sado për faqe të zezë, e ka një dritare më pak për propagandën e saj. Dritaren e Mekulit.

Ka përplot emra të tjerë të kësaj partie, që të revoltuar po lëshojnë radhët e partisë pas fitores së madhe në zgjedhjet e 14 shkurtit. Më herët këtë e kishte bërë Mehmet Selaci nga Vushtrria, Shkelqim Xhafa nga Peja, dhe militantë të tjerë më pak të njohur për publikun.

Cili kishte qenë roli i militantëve në ngritjen e kultit të Kurtit dhe LVV’së?

Sipas fjalorit të Oxford’it “militant është një person që përdorë, ose është i gatshëm të përdorë forcën ose përmes presionit e madh që të arrijë qëllimet e tij, veçanërisht për të ndikuar në ndryshimet sociale ose politike.”

Për shumë vite militanti kishte qenë pararoja e Kurtit dhe Vetvendosjes.

Militanti ishte kudo, në rrugë duke shkruar sllogane, në protesta, duke agjituar shtëpi më shtëpi, duke agjituar nëpër rrjetet sociale, duke linçuar dhe kërcënuar kundërshtarët politike, gazetarët dhe mediat. MIlitanti ishte paramilitari i VV’së, i gatshëm për secilën sakrificë.

Nëse për LDK’në supozohej se ishte rajoni i Llapit a Istogut bastion i saj, nëse për PDK’në Drenica, e për AAK’në Dukagjini, bastion i VV’së ishte militanti.

Kurti ia kishte dalë që përmes militantit të polarizonte shoqërinë kosovare deri në nivele armiqësie, diçka që sot duket zor e riparueshme.

VV’ja dhe Kurti e kishin krijuar llojin e militantit politik, i cili me një kryeneçësi naive politikën nuk pranonte ta shihte të zhveshur nga petku i moralit dhe njëfarë puritanizmi gati religjioz.

Siç e thotë në një postim në Facebook edhe aktivisti nga Podujeve, Enis Syla, ai para shumë vitesh kishte ndar rrugët më babanë e tij, i cili (babai) nga përvoja e gjatë jetësore i kishte sygjeruar të birit të tij (Enisit) se “do ta shohësh se të gjithë politikanët në fund dalin të njëjtë”.

Si shpjegohet ky largim i militantëve që VV’së?

Militantit të VV’së, sot për fytyre po i përplaset realiteti politik. Përballja me këtë realitet ua ka zhveshur cullak liderin e tyre. Lideri i tyre, Kurti, sot duket vetëm një politikan ordiner, dhe jo ai i dikurshmi, shfaqje e politikanit mbinjeri, që si Jezusi, edhe ujin e bën verë. Kurti, militantit të ardhmen ia bënte verë.

Por, militanti në dëshpërimin e tij, e sheh se partia e tij sot është pushtet i koncentruar në duart e disa personave. Për VV’në sot vendosin – pos Kurtit –  Sali Zyba, Liburn Aliu, Xhelal Sveqla, Haki Abazi e Besnik Bislimi. Militanti, me dioptrinë që ka filluar t’i qartësohet, e sheh që në VV nuk pyeten më as figura të saj të rëndësishme, si për shembull dikur Glauk Konjufca.

Përpos pakënaqësive brendapartiake, militanti sot është dëshmitarë se si partia e tij nuk po di të qeverisë vendin. Në fakt, po keqqeverisë. Nepotizëm në punësim, paaftësi në menaxhim, tendera për dosta, punësim dhe favorizim i figurave të partive që deri dje i akuzonin për korrupcion e hajni, paaftësi në diplomaci, ngecje në zhvillim të vendit, shpenzim i parasë publike pa plan dhe vizion, etj.

Cilat mund të jenë pasojat nga largimi i militantëve

Për militantin pasojat në rrafshin personal do të jenë të rënda. Do të kalojnë nëpër një dimër të gjatë depresioni për vitet e tyre të humbara në kauza të rrejshme. Do të jenë të harruar nga partia e tyre. Me siguri edhe të papunë dhe të pashpresë, me alternativë të vetme ikjen nga vendi.

Por, Kosova dhe shoqëria do të ketë vetëm benifite më zhdukjen e kesaj specie. Ishin pikërisht ky lloj aktivisti politike që fyerjen, denigrimin, poshtërimin, shpifjen, gënjeshtren e mashtrimin e kishin shëndrruar në armën kryesore për të ardhur në pushtet lideri dhe parti e tij. Përmes kësaj makinerie të ndye, ata helmuan diskursin politik, raportet ndërnjerzore, deri edhe brenda familjeve.

Sado që pasojat e tyre do t’i bartim edhe një kohë të gjatë, zhdukja e kësaj specie politike do të jetë lajm i mirë për vendin. Do të jetë fillimi i këndelljes dhe normalizmit të politikës tek ne.

Por, jo edhe për VV’në. Zhdukja e militiantit mund të jetë fillimi i shpërbërjes së saj.