A ishte Ferguson vërtetë trajner aq i madh?

A ishte Ferguson vërtetë trajner aq i madh?

Ai është fitues i Premier Ligës 13 herë. Fitues i Ligës së Kampionëve, dy herë. Dhe fitues i FA kupës, pesë herë. Thuhet se është legjendë e Manchester United. Dhe poashtu përmendet si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë.

Por jo, ai nuk është njëri prej trajnerëve më të mirë në botë. Ai ishte dhe mbeti përgjatë gjithë karrierës një trajner mesatar me merita të kontestuara. Por po, ka numra të mirë… meqenëse shumica e futbolldashësve të sotëm, merren me numra dhe statisitka. Duhet pranuar se ai është trajner i trofeshëm.

Meritat e trajnerëve në sukseset e skuadrave shpesh janë shumë të vogla. Për shembull, megjithëse ka fituar gjithçka me Barcelonën, Luis Enrique nuk mund të konsiderohet si një prej trajnerëve më të mirë në botë. Ai është thjesht pjesëmarrës në sukseset e klubit. Rast i ngjashëm është Frank Rijkaard. Edhe trajneri holandez fitoi gjithçka që mund të fitohej me katalonasit, por u dëbua. Dhe sot, askush nuk e dëshiron. Paramendojeni: ka fituar gjithçka dhe prapëseprapë është i padëshiruar. Pse? Sepse nuk ishte ndërtues i suksesit të klubit. Mendoni për këto.

Midis trajnerëve tjerë të trofeshëm bën pjesë edhe Di Matteo, fitues i Ligës së Kampionëve me Chelsean. Ose edhe Mancini, tri herë fitues i Serie A dhe një herë fitues i Premier Ligë. Pastaj, kemi një grumbull trajnerësh të këtillë që kanë qenë në Real Madrid dhe Bayern. Shumica, kryetrajnerë kukulla.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se kemi dy lloj trajnerësh: që marrin pjesë në sukseset e klubit dhe që i ndërtojnë ato.

Ferguson, nuk ishte ndërtues.

Në sezonet e tij të para, ai madje nuk arriti as të ruante konsistencën e rezultateve sikurse Ron Atkinson, paraardhësi i tij te United. Rezultatet ishin dëshpëruese megjithëse klubi bënte investime të bujshme për atë kohë. Në sezonin e tij të parë, United përfundoi në vendin e 11-të. Në sezonin e dytë, United përfundoi në vendin e dytë. Në sezonin e tretë kishte përfunduar përsëri në vendin e 11-të. Në të katërtin, në vendin e 13-të. Dhe këtu, pastaj fillon përmbysja. United nuk është thjesht skuadra që investon më së shumti në Ligë, ajo bëhet skuadra që investon ndjeshëm më shumë se gjithë të tjerët. Vetëm më 1990 në klub vijnë Pallister, Ince, Wallace, Webb e Phelan. Por cili është kuptimi i suksesit nëse transferon lojtarët më të mirë? Megjithatë, United vazhdoi të mos kishte sukses. Në sezonin e pestë, United përfundoi në vendin e 6-të. Ndërkaq në sezonin e gjashtë, përfundoi në vendin e 2-të.

Asnjë trofe, për gjashtë vite. Megjithëse, United-i i asaj kohe, sa i përket transferimeve ishte si Real Madridi i kësaj kohe.

Dhe në vitin e shtatë, erdhi suksesi. Përmes lojtarëve si Mark Hughes dhe Eric Cantona i marrë nga Leeds, United nisi të bëhej hegjemonia e Anglisë. U bë përsëri kampion në vitin pasues. Por jo edhe më 1995 kur u mposht nga skuadra e quajtur: Blackburn Rovers.

Me një epërsi shumë të madhe në cilësinë e lojtarëve ndaj ekipeve tjera, si Juventusi sot në Itali ose Bayerni në Gjermani, United i fitoi edhe gjashtë tituj tjerë deri më 2003. Ai kishte fat që Akademia e United e zbuloi gjeneratën e artë 92-at ku bënte pjesë Scholes, Beckham, vëllezërit Neville, Butt e Giggs. Kjo e forcoi edhe më shumë Manchester Unitedin aq sa, nuk mund as të krahasohej me ekipet e tjera të Anglisë. Por ku është Ferguson këtu? Ku është dora e tij këtu? Ku është dora e Luis Enriques në sukseset e Barçës, këto vite? Epo këto duhet menduar.

Dhe në vitin 2005, kur Manchester United i kishte dy sezone pa titull, duke qenë në vitin 2004 prapa Arsenalit të Wengerit dhe në vitin 2005, prapa Chelseat të Mourinhos dhe Arsenalit, pra në vendin e tretë, e dini se çka ndodhi? United u shit. Pse? Sepse nuk mund të luftonte më, në atë mënyrë siç luftonte Liverpool dhe Arsenal. Donte të funksiononte si Chelsea, të transferonte e të transferonte pafund. Por, tifozët më besnikë të United protestuan ashpër dhe e krijuan një klub të ri për të trashëguar Unitedin e vjetër, i cili quhet United of Manchester dhe sot bën pjesë në Ligën Nacionale të Veriut.

Dhe që prej atëherë, Unitedi e ka pasur një komoditet të jashtëzakonshëm për transferime. T’i përmendim disa blerje ‘senzacionale’ të tij: Taibi, Bebe (10 m), Anderson (35 milion), Kleberson, Veron (shifra e paguar për atë kohë, mund të krahasohet me shpenzimin e sotëm për Pogba), Hargreaves dhe Berbatov (46 milion). Por natyrisht, shumica e blerjeve ishin të mira. Paramendojeni sikur të kishim 1 miliard për shpenzime për 3-4 vite. Mund të transferosh Ronaldon, Messin, Neuerin, Kroosin dhe cilindo… trajneri? S’ka rëndësi.

Kjo që përshkruam më lart e që e gjeni në internet me disa klikime për 2-3 minuta, e zhvlerëson rëndësinë e trajnerit Ferguson në United. Ai është një mit që në këto kohë komerciale, tifozësh sipërfaqësor që merren me numra, shërben dhe shërben mirë. Pra, si statistikë. I pazbërthyer. Si statujë.

Për fund, duhet të themi se Ferguson është akuzuar nga shumë trajnerë kundërshtarë dhe revista prestigjioze (për shembull Times) se i ka ndikuar në mënyrë të tmerrshme gjyqtarët. Mjafton të shihni dallimin e madh midis lojtarëve të lënduar të Arsenal, Liverpool dhe United gjatë periudhës 2000-2013 për ta kuptuar këtë. Pra, jo thjesht akordim penalltish të paqena por diçka më e sofistikuar: dënim i kundërshtarëve për lojë të ashpër dhe lejim i Unitedit për të luajtur ashpër.

Krejt në fund, të përmendim një fjalë nga Ferdinand për Ferguson ku thoshte “Ai s’vinte as në stërvitje”. Dhe përnjëmend, për çfarë trajneri po flasim?

Shpërndaje në: