A ishte Glauk Konjufca te Burdushi?

A ishte Glauk Konjufca te Burdushi?

Deputeti i Partisë Social-Demokrate [PSD], Dardan Molliqaj, ka bërë dy pretendime të forta kundër deputetit të Vetëvendosjes [VV], Glauk Konjufcës. Molliqaj dhe Konjufca dikur ishin bashkëpartiakë, tashmë të ndarë, të ndarë keq, dhe ajo që ndjell kurreshtje është intimiteti brendapartiak që kishin. E duket se në VV ka pasur intimitet goxha të fortë, thashetheme të shumta dhe një gjallim të përçudshëm jashtë uniformitetit që veshnin në sferën publike.

I pari pretendim thotë se Konjufca ishte pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës [ShIK] që udhëhiqej nga Kadri Veseli. ShIK-u vazhdon të jetë i mbështjellë me një tis të errët misteri, duke qenë se nuk i dihet baza juridike e funksionimit dhe dihet në anën tjetër që të gjitha figurat kryesore u bënë pjesë të Partisë Demokratike të Kosovës [PDK] që ishte opozitare në atë kohë. Qysh mund t’i besohet një partie opozitare një farë leve e rëndësishme e sigurisë në vend? Kurrqysh. Partia e Konjufcës kishte qenë [dhe është] në konfrontim të vazhdueshëm me PDK-në, dhe një ndër akuzat lidhej edhe me terrin që e mbështjell funksionimin e ShIK-ut. Për t’i shtuar kësaj edhe vrasjet politike të pasluftës ku kryesisht e pësuan aktivistët dhe zyrtarët e lartë të LDK-së [kundërshtari kryesor i PDK-së, në atë kohë].

Pretendimi i dytë thotë që Konjufca ishte në vizitë te një mjek popullor, i quajtur Burdush, në mënyrë që t’i hiqte hallet e të hapëronte drejt suksesit përmes melhemeve të tij. Një vaki e mosvetshme nëse do të është e vërtetë, dhe po njëjtë nëse nuk është.

Glauk Konjufca e mohoi pretendimin e parë dhe e shpërfilli të dytin.

Nëse deputeti i respektuar i Lëvizjes Vetëvendosje do të kishte qenë pjesë e ShIK-ut, atëherë kjo do ta këpuste me themel fjalën opozitare prej 2008-s e këndej. Do ta dërrmonte jo veç deputetin në fjalë, por edhe subjektin të cilit i takon. Sfera publike në vend është në hendikep të madh nga mungesa e përgjigjjeve për atë agjenci të fshehtë, shkaku i vrasjeve politike të pasluftës dhe shkaku që një numër i madh figurash u bënë pjesë e rëndësishme e politikës. Nga gjithë ai terr ata kaluan në një dritë qorruese. Nëse pretendimi i Molliqajt do të ishte i vërtetë, atëherë kjo do të përbënte një fitore të madhe për vetë ShIK-un, një fitore si nëpër terr, por të rëndësishme. Natyrisht, edhe për PSD-në, që po shpurdhon politikisht veç sa për mbijetesë, dhe deri tash veç përmes thashethemesh. Thashethemet, për aq sa marr vesh unë, nuk janë politika socialdemokrate. Nejse.

Molliqaj nuk ka ofruar kurrfarë prove për rastin. Ai dha disa ‘detaje’ të cilat janë të parëndësishme nëse nuk ofrohet një provë e vetme e e qartë për pretendimin e tij. Një thashethem sado i stërholluar qoftë mbetet thashethem. Njerëzit bëjnë trille aq të gjata e të detajuara. Quhen romancierë. Por jo vetëm.

Sa i përket Burdushit, problemi nuk është aq banal sa mund të duket. Edhe ky pretendim, nëse do të ishte i vërtetë, do ta dëmtonte rëndë reputacionin e Glauk Konjufcës. Burdushi do ta bënte që të dukej politikan banal, po aq sa shumë e shumë të tjerë. Po aq sa vetë Molliqaj. Kjo sepse, të besosh në ‘magjinë e zezë’ ndërkohë që je pjesë e një partie progresive, është e zorshme të kapërdihet. Por Konjufca mbetet ndër të rrallët [bashkë me Kurtin dhe katër-pesë të tjerë] që kanë një besueshmëri dhe arsyeshmëri të kënaqshme në paraqitjet publike, tash për tash.

E megjithatë, as në këtë pretendim nuk ekziston asnjë provë e vetme. As edhe një.

Ajo që e pëson më së shumti nga këto thashetheme, ndër shumë e shumë të tjera që qarkullojnë në formë lajmesh e deklaratash, është sfera publike. Në një vend tjetër, ku debati do të ishte më i kultivuar, Molliqaj do të përballej me një trysni të madhe që t’i paraqiste provat e tij. Në Kosovë, kjo nuk po ndodh.

Pse?

Sepse, sfera publike është dërrmuar aq gjatë e aq shumë nga thashethemxhi të rryer, që s’lodhen asnjëherë të japin përgjegjësi për fjalët e tyre. Përkundrazi. Shoqëria ende favorizon thashethemuesit, figurat publike që nuk ofrojnë rregullsi ligjërimore e konsistencë.

Askush nuk duhet të besojë asnjë fjalë derisa të dëshmohet e kundërta. Askush nuk duhet ta besojë fjalën e Molliqajt nëse nuk arrin ta argumentojë atë, ose të ofrojë diçka që e bën të qartë pretendimin e tij. Jo për shkak të Molliqajt, por për shkak të kultivimit të një prej elementeve kryesore në demokraci: debatit.

Aktualisht, ajo çka ka bërë Dardan Molliqaj mund të cilësohet thjesht si bartje e lajmeve të rreme në pikë të ditës.

Nuk duhet harruar, se bash Molliqaj e kishte akuzuar Ramush Haradinajn për haraç dikur, për t’i shkuar më pas në piknik e për të pozuar me të.

Nga ajo që shohim ne si spektatorë, është e qartë se kujt i duhet më me dëshpërim Burdushi.

Shpërndaje në: