A janë të përfshirë krerët e ministrisë në tenderin 16 milionësh, për të cilin Periskopi raportoi dhjetë herë

A janë të përfshirë krerët e ministrisë në tenderin 16 milionësh, për të cilin Periskopi raportoi dhjetë herë

Nuk është procedura e prokurimit me vlerën më të madhe që e ka iniciuar Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Liburn Aliu, por tenderi për Mirëmbajtjen e dy Autostradave të Kosovës është bërë më i përfoluri në opinion publik. Dyshimet e para për mundësi keqpërdorimi nga ana e ministrisë i ka ngritur Periskopi. Bile, sqarim nga ministri Liburn Aliu për keqpërdorim të mundshëm lidhur më këtë rast kanë kërkuar të enjten edhe deputetet e  Kuvendit të Kosovës. Ne po rikthejmë në retrospektivë krejt procesin se si ka ardhur deri këtu.

Pushtetarët e rinj të Ministrisë së Infrastrukturës, Liburn Aliu e Hysen Durmishi, të cilët kanë marrë drejtimin e ministrisë që një vit e katër muaj, po mundohet të heqin krejt fajin nga vetja për procesin e dyshimtë të tenderit 16.4 milionësh, duke deklaruar se ata kanë iniciuar Njësinë e Auditimit për të audituar krejt këtë proces. Kësisoj ata po e zhvendosin përgjegjësinë tek zyra e prokurimit. Por, a janë përgjegjës ata për një keqpërdorim të mundshëm të këtij procesi, të cilin Periskopi në rreth dhjetë raportime e ka pagëzuar si “Tenderi 16 milionësh”.

Këtu po e kthejmë pak kujtesën, tek ngjarjet e një viti më parë. Me të marrë pushtetin, ndër të parët që doli në konferencë për media për të treguar se ka hetuar një tentativë korruptive, ishte Hysen Durmishi.

Ne kemi anuluar tenderin për mirëmbajtën verore dhe dimërore për rrugët regjionale. Vlera e parashikuar e këtij projekti ishte 44 milionë euro, Kjo ishte kontratë kornizë 3 vjeçare e cila e lejon menaxherin e kontratës t’i rriste vlerën deri në 30 për qind. Në fund të javës së kaluar ne kemi shpallur tenderin e ri, ashtu siç patëm premtuar duke ndryshuar në tërësi edhe si koncept, kemi ndryshuar paramasën duke hequr pozicione të dyfishuara dhe sasi me hamendje dhe kemi llogarit sasitë saktë. Gjithashtu kemi futur produkte të reja që e rrisin cilësinë e rrugëve dhe rrjedhimisht sigurinë në komunikacion”.

Kjo ishte një pjesë e deklaratës së Durmishit në majin e vitit të kaluar.

Me këtë po theksojmë se, Durmishi publikisht kishte pranuar se përzihet në tender.

“Kemi bërë ndryshime në paramasë dhe kemi futur produkte të reja”.

Vendosja e kritereve është çështje kyçe në procedurat e prokurimit, e në tenderin 16 milionësh janë zbuluar se ka pasur edhe vendosje të kritereve favorizuese, të cilat mund të jenë bërë në tavolinë me kompani të caktuara.

Me t’u bërë njoftimi për kontratë, Periskopi kishte raportuar se, ministria që në start kishte vendosur kritere diskriminuese që favorizojnë oligarkët. Ne më 22 mars të këtij viti, kemi publikuar artikullin “Favorizim i oligarkëve: Hysen Durmishi kriter 1 milion euro në bankë kompanive për mirëmbajtje të udhëve” . Duke u thirrur në Ligjin e Prokurimit, këtu kemi hedhur dyshimet se, të paktën dy nga kriteret e vendosura janë shumë të fryra.

Më pas prokurimi i ministrisë që udhëhiqej nga menaxheri Nexhat Krasniqi kishte hapur ofertat dhe ka rekomanduar për kontratë këto kompani.

Lot 1 e ka fituar Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Ne kemi vërejtur se në mesin e fituesve është edhe një kompani e cila nuk po i kryen punët që i ka me kontratën aktuale. Bëhet fjalë për fituesit e lot 3, “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Periskopi kishte gjetur që grupi i kompanive “Damastion Project” & “Via Egnatia”, të kontraktuar nga MMPHI, në vitin 2020 e patën gërryer asfaltin për disa kilometra në të dy anët e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, konkretisht në mes të fshatrave Komoran e Llapushnik. Rruga nuk  ishte asfaltuar kurrë dhe ministria nuk e kishte ndëshkuar kurrë kompaninë po ashtu. E tash, ironikja është se përkundër punës jo të mirë, kompania e njëtë ishte rekomanduar për kontratë. Lidhur më këtë, kemi publikuar tekstin “Hysen Durmishi nuk e ndëshkon kompaninë e pesë centëve që e la pa asfaltuar autostradën, i jep sërish tender”.

Po ashtu, Periskopi ka vërejtur se në mesin e fituesve për lot 2, ishte edhe kompania e dostit të shefit të prokurimit “A2 group”. Por, raportimi nuk është bërë vetëm pse ajo është kompania e jaranit të Krasniqit, sepse potencialisht ka mundur të jetë edhe e përgjegjshme kundruall kërkesave të ministrisë. Teksti ka të bëjë lidhur më atë se Krasniqi nuk u ka lejuar qasje kompanive në ofertën e kësaj kompanie, pasi ligji u lejon kompanive që të kenë një qasje të tillë. Kur të bëjnë kërkesë për rishqyrtim tek ministria në momentin që dyshojnë se kompania mund të mos ketë përmbushur ndonjë kërkesë.

Duke parë që shefi i prokurimit nuk po u kthente përgjigje në aftin ligjor kompanive ankuese, më 12 Maj, Periskopi ka bërë një tjetër raportim lidhur me këtë procedurë tenderuese.

Derisa ministria kishte pranuar disa ankesa nga kompanitë lidhur më atë se ishin eliminuar pa të drejtë, ndërkohë që ministria e kishte tenderin në pezullim, por nuk u jepte përgjigje, Periskopi ka bërë një tjetër raportim në kuadër të hulumtimit . Kemi zbuluar se në një ambient krejt miqësor, në orët e mbrëmjes, po pinin kafe e birra, shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi, kryetari i Komisionit vlerësues të këtij tenderi, Shefqet Emerllahu dhefituesi i tenderit (që ishte në pezullim), për lot 2, Valon Ademi.

Pas këtyre raportimeve, ministri Liburn Aliu, kishte iniciuar Njësinë e Auditimit të Brendshëm, veçse përzgjedhja e personave ishte bërë me hile. Ai kishte lënë jashtë personin më kompetent, shefin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm, Begzad Musliu, derisa kishte ftuar në ekip dy auditorë të brendshëm dhe udhëheqës të ekipit një zyrtar jo shumë kompetent nga Ministria e Ambientit. Musliu ishte lënë qëllimshëm jashtë auditimit vetëm pse auditimi i tij kishte nxjerrë parregullsi në kontratën e tiketave ngjitëse e cila ishte nënshkruar nga Hysen Drumishi, por që më pas ishte anuluar. Lidhur më këtë rast, Periskopi kishte bërë një raportim ekskluziv.

Se ishte angazhuar njësia audituese, e kishte konfirmuar zyrtarisht vet ministri Aliu.

Gjatë kësaj kohe të zhvillimeve, derisa auditori po mbledhte fakte e që tenderi ishte i pezulluar për shkak të ankesave, në media ishte paraqitur Durmishi dhe kishte folur pak edhe për këtë tender.

Periskopi, duke u thirrur në disa deklarata të tij, kishte gjetur fakte të reja dhe kishte publikuar artikullin “Durmishi paradite i lëshon referenca kompanisë, pasdite ia përmend Prokurorinë”.

Gjetjet e Periskopit kishin të bënin me rekomandimin për kontratë për lot 3, ku fitues janë shpallur kompanitë në konzorcium “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”. Ministria e Infrastrukturës kishte lëshuar referenca për punët e kryera, për kompaninë “Damastion Project” më datë 03.03.2022 , për kryerje të punimeve, ende pa përfunduar kontrata dhe pa u përfunduar disa pozicione të kontratës. Bëhet fjalë për referencat e projektit “Mirëmbajtja e Autostradës A7 Ibrahim Rugova”, që është nënshkruar në korrik të vitin 2019, me kohëzgjatje për 3 vjet dhe me validitet deri më 3 korrik 2022.

Ndërkohë, më 24 qershor kemi raportuar se “Auditori ka dorëzuar raportin për tenderin 16 milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës, ku janë evidentuar shkelje”.

Duke u thirrur në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Periskopi kishte bërë kërkesë për qasje në këtë raport, pasi kishte përcjell këtë aktivitet të prokurimit që nga inicimi i tij. Ministria ka refuzuar kërkesën. Refuzimi nuk është bërë duke u thirrë në ndonjë dispozitë të ligjit, ashtu edhe siç përshihet, por në procedura të brendshme të ministrisë. Lidhur më këtë refuzim Periskopi është në pritje të një interpretimi ligjor nga ana e Avokatit të Popullit.

Po ashtu, edhe përkundër faktit që Auditori i brendshëm kishte përfunduar raportin i cili ka rezultuar me shkelje që nga inicimi i aktivitetit të prokurimit e deri tek vlerësimi i tij, prokurimi i ministrisë para pak ditëve e ka dërguar për nënshkrim të kontratës këtë procedurë të prokurimit, duke rekomanduar për kontratë kompanitë që janë shpallur fitues herën e parë.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu është pyetur të enjten në Kuvend për Raportin e Auditimit të brendshëm për tenderin 16 milionësh, ku dyshohet se ka pasur parregullsi. Aliu ka theksuar se do të bashkëpunojnë me hetuesinë e prokurorinë.

’Për tenderin të cilin po flisni, parregullsitë i kemi marr nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport e kam inicu vet bashkë me zv.ministrin. Ka tregu që ka paregullsi dhe e marrim shumë seriozisht dhe e ftojmë prokurorinë. Jemi të gatshëm dhe e kemi bërë gati materialin me u marr pikërisht për këtë çështje” , ka thënë ai.

E gjithë kjo nuk ka përfunduar këtu. Mbetet të shihet se cili do të jetë veprimi i ministrisë, nëse do ta anulojë këtë procedurë të prokurimit, do ta kthejë në rivlerësim, apo do të nënshkruajë kontratat me kompanitë që janë rekomanduar për kontratë. Të gjitha këto veprime, duhet të kenë argumentim ligjor, sepse në fund të fundit, Ligji i Prokurimit nuk lejon që të anulohet një procedurë tenderuese, vetëm pse ashtu thotë një auditor. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/

Shpërndaje në: