A na bëri Ronaldo të gjithëve shitës pjeprash?

A na bëri Ronaldo të gjithëve shitës pjeprash?

Mbrëmja e kaluar u pushtua nga lajmi për atë që bëri vaki në Torino të Italisë. Kristiano Ronalldo, futbollist portugez, shënoi tre gola dhe e përmbysi disavantazhin e ekipit të tij, Juventusit.

Futbolli është një formë kulture e rëndësishme për të kuptuar zhvillimet shoqërore e politike.

Juventusi kaloi në çerekfinale të një gare pa-lidhje [Liga e Kampionëve], ku në dekadat e fundit janë shpenzuar miliarda euro në një gjë konkretisht: ngushtimin e konkurrencës. Se bota e futbollit është e zhytur në korrupsion tregojnë dënimet dhe dyshimet mbi krerët e federatave më të mëdha, FIFA e UEFA. Platini, Blatter dhe pasuesit e tyre i shërbyen interesave të njerëzve të fuqishëm të politikës e tregtisë.

Përgjatë dy dekadave të fundit, shtëpitë e futbollit kanë prishur rregullat financiare duke iu lejuar gjigantëve që të korrin suksese në kurriz të ekipeve më të vogla. Ta zëmë, në vitet ’90, Liga e Kampionëve u fitua edhe nga ekipe të dobëta financiarisht si Crvena Zvezda e Beogradit, Marseja, Ajaksi e Dortmundi. Për më tepër, edhe ekipet gjigante fituese si Mançester Junajtidi, Reall Madridi, Juventusi e Barcellona ishin në një rrethanë shumë më të dobët financiare.

Por, me fillimin e viteve 2000, kjo lojë efektivisht përjashtoi shumicën e ekipeve pa takat financiar nga gara reale për trofeun kryesor evropian – gjë që shërben si ilustrim edhe për atë që ndodhi në ligat kombëtare. Gara u ngushtua aq shumë, sa në dekadën e fundit, në tetë finale, Real Madridi dhe Barcelona morën pjesë në gjashtë prej tyre. Në Angli, kjo ndodhi prej viteve ’90 kur hegjemonia e Mançester Junajtidit prishi gjasat e dhjetë-pesëmbëdhjetë ekipeve për sezon që të ishin kampione, siç ndodhi në vitet ’80, ’70, ’60 e poshtë. Në Itali, tash e tetë vjet është një ekip kampion. Në Spanjë, shpërndarja e padrejtë e të hyrave nga të drejtat televizive ka krijuar hegjemoninë e Real Madridit dhe Barcellonës. Në Francë, liga është në zotërim të plotë të Paris SG-së. E kështu me radhë.

Pra, futja e miliardave në futboll rezultoi në kontrollimin gati-të-plotë të vetë garës si koncept. Ajo iu takon ekipeve të mëdha që nuk varen as prej prodhimit nga akademitë, as prej trajnerëve, e as prej performancës së lojtarëve [nëse njëri nuk performon mirë, nuk pritet, blihet tjetri].

Kreativiteti, spontaniteti e paparashikueshmëria u shpallën armiq dhe u rrudhën për gjynah. UEFA dhe FIFA arritën që tifozët e futbollit t’i konvertonin jo në besimtarë të thjeshtë, e as në dishepuj, por në profetë që parashohin me saktësi atë që do të ndodh. S’ishte e zorshme. Kjo saktësi në parashikim është e domosdoshme për investimet që bëjnë sheikët e oligarkët nga e mbarë dynjaja.

Më parë, edhe për çështje ideologjike, isha tifoz i Arsenalit. Një klub që nuk iu jep fuqi ekzekutive aksionarëve kryesorë. Por edhe shkaku i simpatisë ndaj mendjes kreative të trajnerit Arsen Venger. Tash, jam përkrahës ekipesh pa arritje të mëdha, si Portsmuthi [Portsmouth] në Angli [që zotërohet nga fansat e saj] e St Paulli në Gjermani [që ka fansa anti-fashistë, anti-racistë, anti-homofobikë dhe anti-seksistë]. Edhe pse, rrallë e hiç shoh ndeshje futbolli në tri-katër vitet e fundit.

Pse? Sepse, njeriu duhet të krijojë marrëdhënie të kuptimshme me gjërat. Të investojë emocionet e tij në gjëra përmbushëse e domethënëse. Nëse na pëlqen futbolli, atëherë mos të jepemi pa mendje pas tij. Futbolli, që nisi të harlisej si një argëtim pas pune gjatë revolucionit industrial në qytete të shumta angleze, në thelbin e tij ka dhe ruan karakterin lokal. Shumica e ekipeve, përfshirë gjigantët ekonomikë, mbajnë emra qytetesh ose shtrihen në qytete të caktuara dhe themelet i kanë në historinë e zhvillimit industrial lokal. Por, çka më lidh mua me ndonjë qytet të caktuar evropian? Asgjë. Prandaj, e shoh me gërdi postimin e mbrëmshëm të kryeministrit shqiptar Edi Rama që ishte gëzuar se ekipi i tij favorit fitoi. Futbolli shqiptar aktualisht është ndaluar shkaku i protestës së referëve që po pësonin dhunë në stadiumet e vendit. Nuk ndodh më mirë as në futbollin kosovar.

Edhe katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA, futbolli në Kosovë mbetet në një nivel që teknikisht thirret gjysmë-amatoresk. Për më shumë, futbolli nuk është sport i margjinalizuar nga ndonjë sport tjetër më popullor. Apo nga ndonjë formë kulture më e përhapur, ta zëmë teatri a kinemaja a kushedi. Jo, nga një masë të madhe njerëzish të dhënë me mish e shpirt pas futbollit ndërkombëtar. Dëgjon llafe për një gjë të tillë gjithë kohën. Derdhen emocione pa kursim te gjigantët evropianë ndërsa shpërfillen plotësisht ekipet vendore. Në përgjithësi, edhe përfitimi ekonomik nga kërkesa për futboll nuk është e orientuar kah zhvillimi i akademive të futbollit, instrastruktura më e mirë e stadiumeve, cilësia e lojës – por te këto llafe për futbollin ndërkombëtar – te bastoret, kafenetë që shfaqin këto ndeshje, e te forma tjera që ndoshta s’i dimë.

Ky është një tjetër tregues i shpirtit të humbur të këtij kolektivi. I një shpirti të robit që nuk kërkon autenticitet e kuptim në sport e art por vetëm dehje e harrim.

Sportet nisën gjatë fazës së parë të revolucionit industrial, dhe u menduan si argëtime gjatë kohës së lirë, jashtë punës. Etimologjia e sportit thotë se ai është ‘heqje e mendjes nga gjërat serioze’. Por, ne jemi shoqëri e papunë [marrë parasysh skemën e prodhimit, dmth atë që prodhojmë, del se edhe ata që punojnë në fakt nuk punojnë] dhe joserioze. E kësisoj, sporti nuk mund të cilësohet si një pjesë margjinale e identitetit tonë. Jo, ai është në qendër. Bile, puna është aq banale, sa pikërisht sporti ndërkombëtar me njerëz analfabetë si Messi e Ronaldo, është pjesë më e rëndësishme [ose të paktën më e vëllimshme] e jetës se sa puna që bën.

Ky çlirim i kohës nga çfarëdo kuptimi, nga çfarëdo angazhimi domethënës [përjashto atë për mbijetesë dhe status social] do të duhej të na shtynte ta mendojmë seriozisht karakterin e shtypjes që i atribuojmë ‘tjetrit’ në historinë tonë.

*Titulli ka të bëj me trajnerin e Atletiko Madridit që kishte thënë se do të bëhej shitës pjeprash nëse do të mposhtej nga Juventusi. Titulli mund të ishte edhe “Pse të shesësh pjepra është më mirë se të shënosh hetrik në një garë të korruptuar?” Ose tjetërqysh.

Shpërndaje në: