A na e lëshoi Anglia lojën? Gjithçka që duhet të dini për ndeshjen e djeshme

A na e lëshoi Anglia lojën? Gjithçka që duhet të dini për ndeshjen e djeshme

Kosova luajti mbrëmë kundër Anglisë në ndeshjen e fundit të Kualifikimeve për EURO2020 ku humbi me rezultat të thellë 0-4. 

Kombëtarja jonë bëri paraqitje të mirë duke pasur 45 për qind të posedimit të topit dhe krijoi disa raste shënimi. Tentimet në portë ishin po ashtu thuajse të barabarta 11-13 ndërsa numri i pasimeve ishte 486 me 616.

Statistikat e përgjithshme të ndeshjes

 

Këto janë disa prej pyetjeve që mund t’iu kenë lindur pas ndeshjes, e të cilat do t’i adresojë redaksia e sportit në Periskop.

Por, pse atëherë i pësuam tre gola në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të ndeshjes? 

Çdo ekip profesionist futbolli kur përballet me një tjetër që është më superior nga aspekti teknik përdor strategji të ndryshme për të arrnuar mangësitë. Zakonisht, këto strategji nënkuptojnë vendosjen dhe mos-lëvizjen e lojtarëve kyç në pozitat defanzive në mënyrë që të mbulohen hapësirat në fushë për ekipin kundërshtar. Shqipëria e Gianni De Biasit nuk kishte lojtar aq të mirë nga niveli teknik, por megjithatë përmes këtyre taktikave – që shpesh e bënin lojën të mërzitshme – arriti të kualifikohej në EURO2016 me rezultate shumë pozitive.

Kosovës iu çkye arrnimi me nevojën për të barazuar rezultatin. Anglia lejoi më shumë hapësira në pjesët anësore të fushës dhe Kosova s’e kishte nijet të ndalej së sulmuari, përkundrazi, e rriti intenzitetin e sulmeve dhe sistemi i lojës u çorganizua krejtësisht. Kjo bëri që t’i pësonim tre golat e tjerë në fund të ndeshjes – e për të cilën më shumë pati faj faza e sulmit që nuk ishte efikase e e rrezikshme, se sa ajo e mbrojtjes që i bëri gabimet.

A na e lëshoi lojën Anglia?

Jo. Anglia luajti me krejt kapacitetin e saj edhe pse i pushoi pesë lojtarë të formacionit standard. Në fakt, Anglia nuk e ka standardizuar ende plotësisht formacionin dhe disa prej lojtarëve që i pamë ndaj Kosovës, do të mund t’i shohim edhe në EURO2020, shkruan Periskopi. Bie fjala, Alex Oxlade-Chamberlainin dhe mbrojtësin Tyrone Mings.

Notat e lojtarëve sipas një faqeje sportive

Anglia në fakt thjesht e uli ritmin e lojës, por jo nga dashamirësia për Kosovën. “Tre Luanët” e kishin siguruar vendin e parë në grup dhe kualifikimin në EURO2020 dhe në ndeshjen me Kosovën vinin të relaksuar e pa kurrfarë presioni. Prandaj, e ulën ritmin e lojës në mënyrë që lojtarët të mos pësonin ndonjë lëndim të panevojshëm. Megjithatë, dëshirën e Anglisë për fitore dhe rezultat sa më të mirë në ndeshjen me Kosovën mund ta shihnim te futja në formacion të lojtarëve më të mirë të saj, Harry Kane, Raheem Sterling, Alexander-Arnold, Chilwellin dhe Maguiren. Po ashtu, kjo dëshirë për fitore sa më të thellë ndaj Kosovës u vërejt edhe në pesëmbëdhjetë minutat e fundit, kur Kosova u çorganizua, duke ia shënuar tre gola të shpejtë.

Cili ishte lojtari më i dobët te Kosova?

Për të fituar një cilësor të tillë negativ gara është shumë e ngushtë mes Fidan Alitit dhe Milot Rashicës. Në fakt, Rashica është lojtari më i mirë i Kosovës, por duhet pranuar se trajneri Bernard Challandes nuk po arrin që të nxjerr më të mirën prej tij. Për të dëftyer një gjë të tillë mjafton të shikojmë statistikat e Rashicës te Werder Bremeni dhe ato te Kosova. Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse te Kosova, Rashicës po i ngarkohen edhe detyra shtesë, në defanzivë, ndërkohë që po i kufizohet hapësira për depërtim nga qendra – për të cilën shquhet te ekipi i tij. Sidoqoftë, Rashica mund të ishte më i mirë në këtë ndeshje, apo edhe në atë kundër Çekisë.

Cili ishte lojtari më i mirë? 

Ibrahim Dresheviq. Pavarësisht që i bëri dy gabime trashanike në fazën e mbrojtjes, lojtari i Heerenveenit bëri paraqitje shumë pozitive në pozitën e mesfushorit shkatërrues. Mesfusha e Kosovës me Dresheviqin dukej shumë më bindëse se në ndeshjet e tjera të Kosovës. Vetë Dresheviq bënte pasime të mira dhe mbante vazhdimisht pozicionin e tij, duke i pamundësuar lojtarët anglezë që të depërtonin nga qendra – siç kishin bërë në ndeshjen e kaluar në Southampton.

Aspak keq: Tabela përfundimtare e grupit të Kosovës

Lojë të mirë bëri edhe portieri Aro Muriq, dhe dy mbrojtësit e krahut, Vojvoda e Kololli.

A është trajner i mirë Bernard Challandes? 

Zvicerani e ka ndihmuar Kosovën që të dalë nga mendësia humbëse ku e kishte futur Albert Bunjaku në Kualifikimet për Kupën e Botës. Meritat e tij janë të pakontestueshme, edhe pse, disa lojtarë të Kosovës nuk ia panë hairin sistemit të tij të lojës.

Bie fjala, Rashica stagnoi te Kosova edhe pse fluturoi për ekipin e tij. Por, shumica e lojtarëve të tjerë u gjallëruan te Kosova, duke përfshirë Zenelin, Muriqin, Alitin dhe Amir Rrahmanin.

Kosova nuk ka nevojë që ta ndërrojë trajnerin në këtë fazë të garave sepse do të ndikonte negativisht për frymën ekipore. /Periskopi

Shpërndaje në: