A paguhen të famshmit për të thënë që kanë koronavirus?

A paguhen të famshmit për të thënë që kanë koronavirus?

Në një Instagram Live, Cardi B i dha jetë teorive konspirative se emrat e njohur që kanë ndarë me publikun diagnozat pozitive me koronavirus duket sikur janë në një “reklamë për Flat Tummy Tea,” një çaj detoksifikues që influencueset rekomandojnë online në këmbim të pagesës.

Në fjalë të tjera, reperja aludoi se të famshmit janë paguar për të thënë se kanë koronavirus.

Idris Elba, aktor i infektuar, iu përgjigj akuzave po në Instagram Live.

“Thjesht ideja se një njeri si puna ime paguhet për të thënë se ka koronavirus është një idiotësi e madhe,” tha ai. “Çfarë budallallëku. Njerëzit e thonë si të ishte lajm. Është budallallëk. Është mënyra më e thjeshtë për të sëmurur të tjerët sepse unë dhe Sabrina s’përfitojmë asgjë nëse rrimë në shtëpi dhe themi që kemi diçka që s’e kemi. S’e kuptoj logjikën pas kësaj.”

Të famshmit janë kritikuar për mundësinë që kanë për t’u testuar, kur në Amerikë dhe Mbretërinë e Bashkuar ka mungesa kitesh testimi.

Sidoqoftë, Elba e mbrojti veten dhe faktin se ishte testuar. Sipas tij, nuk ia vlen të diskutosh për privilegjin në të tilla momente.

“Debati për të pasurit dhe të varfërit, për ata që infektohen dhe ata që nuk infektohen nuk është një debat me vlerë,” tha ai. “U testova dhe dola pozitiv. Kjo më bën të privilegjuar? S’e kuptoj. Nuk mendoj se jam i privilegjuar sepse u testova dhe jam vërtet sëmurë.”

Cardi i mbrojti akuzat e bëra në një video tjetër: “I qëndroj asaj që thashë.”

Elba është një nga emrat e njohur që është prekur nga Covid-19. Tom Hanks dhe bashkëshortja, Rita Wilson u sëmurën në Australi dhe tani “ndihen më mirë.” Gjithashtu, aktorja Olga Kurylenko tha se “është shëruar tërësisht nga koronavirusi.”

Shpërndaje në: