A pajtoheni: Edhe Hyseni e ka dissin më të mirë kundër Unikkatilit, sesa Fero

A pajtoheni: Edhe Hyseni e ka dissin më të mirë kundër Unikkatilit, sesa Fero

Për Unikkatilin, s’kemi çka filozofojmë edhe aq. Është hip-hop artisti që e dëgjojnë ende me ëndje edhe ata mbi të 30-tat. Pavarësisht sa këngë, sa artistë të hip-hopit u bënë të suksesshëm pas tij, ai është artisti që veshi ka gjithmonë qejf me e dëgju.

Është artisti që futi në skenë zërin dhe tekstet që i shkojnë dhe – dorën në zemër-  i mungonin zhanrit të hip-hopit në shqip. Është ‘tingulli amerikan’ i hip-hopit shqip, që – atyre që sot mund të jenë mbi të 30-tat e këngët e tij të para mund të ishin në gjimnaz kur i dëgjuan, ua jepte ndjenjën e një farë disidenti, një farë rebeli ose me R të madhe, si vetë Unikatili: Rebeli.

Dhe, ndryshe është ta kishe atë ndjenjë atëherë, kur duhej ta dëgjoje muzikën e Unikkatilit tinëz familjes (patriarkale – gjithqysh), e ndryshe është të dëgjosh sot hip-hop, në gjithë këtë llum komercializmi.

Domethënë, nëse nesër na mbërrinë ymri të bëhemi gjyshër, dhe kemi qejf të dukemi disi ‘in’ në biseda me mbesat ose nipat tonë, për zhanrin e muzikës hip-hop, kur të flasim me ta për ndonjë artist shqiptar, veç Unikkatili do t’na bie në mend.

Prandaj, duke i marrë parasysh të gjitha këto më lart, me këngën e tij të fundit edhe nuk u morëm fare. Ok. Nuk është e thënë që Unikkatili çdo herë t’ia qëllojë. S’ia ka qëlluar gjithmonë 2Pac, Eminem, Biggie. Ka këngë e momente edhe të tyre, që ke thënë: kjo nuk ia vlen. Megjithatë, piedestalin e më të mirëve të të gjitha kohërave, vazhdojnë ta kenë dhe duket se me hip-hopin e dobët gjithandej nëpër botë (pas tyre) do ta mbajnë përjetësisht.

Aty-aty, e dëgjuam ose nuk e dëgjuam, është edhe Unikkatili. E kemi fjalën për hip-hopin shqip.

Megjithëse kënga e tij e fundit (ashtu si disa këngë të fundit), mund të mos jenë fare të mira, ose aq të mira, zëri i Unikkatilit është ai që – mbi 30 vjeçarët – i shtyn të hyjnë deri në YouTube e ta dëgjojnë pak.

(KUJDES: Të gjitha këngët më poshtë përmbajnë gjuhë -hiphopi – eksplicite) 

Kërshëria si gazetarë ose si dëgjues të dikurshëm të Unikkatilit, na u ngjall kur u përmend Fero.

Dhe, kur ky ia kthen me një këngë Unikkatilit, me titullin, tingujt dhe melodinë e të cilit, nuk kemi kohë e as s’ia vlen të merremi, ajo që na ra në mend, është të hyjmë ta dëgjojmë pak dissin e Hysenit për Unikkatilin.

Është dukshëm më i mirë, njerëz.

Në ‘krahinën’ e tij mbi 12 minutëshe – tentativë për të bërë hip-hop, të paktën Hyseni, thotë diçka, derisa në dissin e Feros, nuk kemi kurrgjë.

Le të shpresojmë që të gjithë gjakrat e hip-hopit të qetësohen, të mos nxehen dhe që diss si të Unikkatilit për Hysenin, të mos dëgjojmë më kurrë :P.

Shpërndaje në: