A po e përçan Kodi Civil Vetëvendosjen? 5 deklarata të Eman Rrahmanit që zhvoshkin problemin

A po e përçan Kodi Civil Vetëvendosjen? 5 deklarata të Eman Rrahmanit që zhvoshkin problemin

Mes kujtimesh të videove virale të Albin Kurtit në fushatë kur ndalej sa herë që hoxha dëgjohej duke thirrë ezanin, si shenjë respekti për këtë rit fetar islamik dhe mes aktualitetesh se Kodi Civil me dy nene që lejon martesat e seksit të njëjtë nuk e ka përkrahjen e një numri të konsiderueshëm të partisë në pushtet (VV), po zhvillohet debati i  fundit rreth telasheve në këtë parti. Çka na tregoi mbrëmë, intervista e deputetit Eman Rrahmani?

Zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje, shpërfaqën pakënaqësitë e shumta që shpërthyen gjithandej në qendrat e kësaj partie nëpër Kosovë.

Aktivistë të hershëm të kësaj partie, u bënë kryelajm në mediat kosovare, shkaku që siç thonin – po ‘përjashtoheshin brutalisht nga gara për kryetarë qendrash’ (më të njohur, shembujt e Lipjanit, Mitrovicës e Prizrenit).

Mes arsyesh që jepnin ata që ‘po përjashtoheshin nga gara për kryetar’, ishin edhe filtrat nëpër të cilat duhej të kalonin në organet kompetente të partisë në pushtet (VV).

Çka ishin këta ‘filtra’?

Duke qenë se një nga dështimet më të mëdha legjislative të kësaj qeverie – të paktën deri në këto momente – është mos kalimi i Kodit Civil me dy nenet që lejojnë martesat e seksit të njëjtë, kjo ishte pika që sipas të dorëhequrve nga gara për kryetarë të Vetëvendosjes nëpër komuna, po e ndante partinë ose po përçante njerëzit e saj.

Kjo dëshmohet nga letra e dorëheqjes së kandidatit për kryetar të qendrës në Prizren, që përmendte pikërisht këtë problem, se ia kishin kërkuar ta bënin të ditur ‘qëndrimin e tij rreth Kodit Civil’.

Mes akuzash për islamofobi dhe mes kujtimesh se si Kurti në fushatë ‘koketonte’ me besimtarët myslimanë duke u ndalur sa herë që hoxha thirrte ‘ezanin’ (thirrje e njohur islame për kryerjen e riteve fetare), kjo parti ia arriti të dalë nga këto zgjedhje me Albin Kurtin kryetar të VV-së.

Por ku janë sot, disa nga deputetët e saj, që janë kundër Kodit Civil, dhe morën një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet e fundit.

Deputeti i zëshëm i Vetëvendosjes kundër Kodit Civil, Eman Rrahmani, në një paraqitje mbrëmë në debat plus, pati kritika për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të brendshme të partisë.

Ja top 5 deklaratat e tij që shpërfaqin edhe debatin e brendshëm të kësaj partie rreth Kodit Civil dhe çështje të tjera organizative partiake, përcjell Periskopi:

1.Për mu si proces ka qenë me disa mangësi, por rezultati është ai që ka dalë. Është edhe e pritshme edhe e arsyeshme që të kemi një kryetar të Lvëizjes Vetëvendosje edhe kryeministrin Albin Kurti.

2.Kam qenë anëtar i kryesisë së qendrës së Prishtinës, për mu mjafton që kontributin tem me jep prej Kuvendit. Angazhimin tim në qendrën e Prishtnës e kam jap me aq sa kam mundur ta jap. E kam pa se nuk kam ma shumë çka me dhanë.

3.Unë personalisht kam vërejtjet e mia lidhur me nivelin e organizimit dhe mungesën e një farë tolerance ndaj atyre që kanë vendosë me qenë kandidatë. Tuj i pa disa prej kandidatëve që kanë qenë, nuk besoj që ka pasë arsye të gjithë me i largu prej garës. Ka qenë kryesia e Vetëvendosjes që jep ose refuzon kandidimin. Tash aty diskutimet që janë brenda Vetëvendosjes.

4.Pa një vendim të Komisionit Diciplinor, mendoj që është e keqe ti ndalohet një kandidati me kandidu, përvec një fakti nëse ka qenë në kundërshtim me organizatën. Besoj që kjo do të jetë njëra prej mangësive që do ta përcjell Vetëvendosjen në nivelin lokal.

5.A iu është kërku për në të ardhmen që me e mbështet, nuk mundem me folë rreth kësaj çështje, nuk e di, por nuk është standardi që është ndjek që kushdo që nuk e ka votu Kodin Civil nuk mundet me u zgjedhë kryetar i ni qendrës. A kemi pasë debate të brendshme (për Kodin Civil, sqarimi jonë)  kemi pasë jashtëzakonisht shumë kemi pasë, por kanë qenë edhe debate publike në ato që kemi deklaru në Kuvend. A kanë ndryshu raportet brenda, po ka deputetë që kanë ndryshu raportet prej kur ka qenë në Kuvend Kodi Civil. Ne kemi kërku me u largu dy nenet edhe mos me mbetë peng Kodi Civil që ne kemi thënë se nuk do ta gjejnë mbështetjen tonë. Në bazë të informacioneve që kam kur është inicu ky ligj në Ministrinë e Drejtësisë, nuk kanë qenë këto dy nene, por janë sjell prej këshilltarëve të kryeministrit gjatë procesimit në qeveri dhe ka ardhë në Kuvend me ato dy nene, por dihet që ai Kod do t’vjen shumë shpejt në Kuvend por përgjigja ime me ato dy nene do t’jetë e njëjtë./Periskopi

Shpërndaje në: