A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?

A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?

Kosova aktualisht është në mesin e shteteve të Evropës me numër të vogël të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Kështu tha Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, Kosova e ka kaluar valën e dytë gjatë muajve korrik e gusht, ku numri i të infektuarve dhe vdekjeve nga kjo sëmundje ka shënuar numër rekord.

Ndërkaq, me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, Raka tha se është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.

Radio Evropa e Lirë : Z. Raka, cili është vlerësimi juaj i situatës aktuale të pandemisë në Kosovë?

Lul Raka: Aktualisht Kosova është në mesin e shtatë shteteve të Evropës me numrin më të vogël të rasteve të regjistruara në dy javët e fundit. Pra, jemi me numrin më të vogël të të infektuarve në 100 mijë banorë.

Kjo situatë epidemiologjike e favorshme për momentin është lajm shumë i mirë në kohën kur jemi futur në sezonin dimëror, prej fillimit të tetorit dhe kemi edhe sfida tjera që do përballemi.

Radio Evropa e Lirë : Në shumë vende të Evropës tashmë ka rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, ndërkohë që Kosova po shënon ulje të numrit të personave të infektuar, por edhe të vdekjeve. Si e shpjegoni këtë fakt?

Lul Raka: Në uljen e rasteve në dy tri javët e fundit kanë ndikuar dy faktorë të cilët kanë qenë dhe janë përcaktues të situatës epidemiologjike. Në radhë të parë është sjellja individuale, zbatimi i masave nga ana e popullatës.

E kemi pa që muajin e fundit kjo zbatueshmëri ka shënuar rritje të ndjeshme. Kemi parë njerëz me maska rrugëve, distancë dhe higjienë të duarve e që është një prej tre faktorëve parandalues. Ndërkaq, faktor tjetër që ndikon drejtpërdrejt në këtë strukturë të përgjithshme të epidemiologjisë, është edhe inspektimi nga autoritetet shtetërore.

Në momentin kur njëtrajtësisht edhe popullata i zbaton masat, por ka edhe inspektim strikt nga inspektorati, nivel komunal dhe qendror si dhe nga policia, kemi parë që numri i të infektuarve ka rënë dhe situata epidemiologjike është shumë e favorshme.

Gjithashtu kjo ndikon që kapacitetet shëndetësore të kenë kohë të mjaftueshme të përgatiten për faktorët e rritjes së numrit të rasteve siç janë sigurimi i stafit të mjaftueshëm, e që përmes investimeve të Bankës Botërore do të ketë numër të rinj të stafit që tashmë janë rekrutuar dhe do të fillojnë punën javën e ardhshme.

Sigurimi i testeve të mjaftueshme e që Kosova do të jetë në gjendje ta përcjell më mirë situatën epidemiologjike në teren duke i identifikuar me kohë dhe duke gjurmuar rastet dhe izoluar ata që janë COVID pozitiv.

Interviste e plote ne Radio Evropa e Lire.

 

Shpërndaje në: