A po e shfrytëzon Brukseli dështimin e takimit të Uashingtonit për të fituar terren në dialog?

A po e shfrytëzon Brukseli dështimin e takimit të Uashingtonit për të fituar terren në dialog?

Pavarësisht publikimit të propozim-aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli duket se Bashkimi Evropian duket edhe më në disponim për të rifilluar dialogun.

Se Bashkimi Evropian është e gatshme për rifillimin e dialogut ku do të mbajë edhe timonin e udhëheqjes e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Ne presim që dialogu të rifillojë këtë muaj, siç është njoftuar më herët. Data e saktë do të bëhet e ditur me kohë”, ka deklaruar Stano për lajmi.net.

Stano po ashtu ka bërë të ditur se Mirosllav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është duke realizuar kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e të dyja shteteve.

“I dërguari special i Bashkimit Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët relevantë në nivele të duhura”, theksoi Stano.

E i gatshëm për dialogun pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në vend është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pavarësisht se i njëjti anuloi takimin e tij në Beograd që ishte planifikuar të ndodhë më 27 qershor.

Pas kthimit nga vizita e tij në Bruksel, Hoti u shpreh se dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme për këtë proces.

“Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Kosova është e gatshme për këtë proces, jemi duke punuar për një delegacion, ekip shtetërore të kryesuar nga kryeministri”, deklaroi të mërkurën Hoti.

E këto përpjekje të intensifikuara të Bashkimit Evropian për rifillimin e dialogut vijnë pas anulimit të takimit Kosovë – Serbi i cili ishte planifikuar të ndodhë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë ku i Dërguari i Posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell do t’i priste krerët e Kosovës dhe Serbisë.

A po e shfrytëzon BE dështimin e takimit të Uashingtonit si pasojë e publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi dhe a është e mundur që dialogu të udhëhiqet dhe të përfundojë nga Brukseli?

Lidhur me këtë, njohësi i politikave të jashtme, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se tendencat e tilla, qofshin edhe Samiti i Parisit dhe nisma të tjera janë si vazhdimësi e takimit të Uashingtonit i cili tashmë është anuluar.

Aktivitetet e Bashkimit Evropian sipas Mazrekut të cilat ai thotë se janë në vazhdën e takimit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kenë asnjë efekt pa presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë mendoj që këto tendencat në kontekst si Samiti i Parisit është parë në vazhdën e takimit të Uashingtonit kur dihet se institucionet e Kosovës, udhëheqësit politik të Kosovës, por edhe populli nuk janë në pajtim me asnjë proces të dialogimit ku SHBA-të nuk kanë rol determinues dhe kjo është parë në vazhdën e takimit të Uashingtonit dhe sigurisht ky takim pas zhvillimeve të fundit, flas për publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të partisë të dytë më të madhe opozitare, Kadri Veseli është anuluar  dhe aktivitetet e tjera unë i shoh në vazhdën e takimit të Uashingtonit dhe as këto nuk do të kenë asnjë efekt pa presidentin e shtetit.”, tha Mazreku për lajmi.net.

E njohësja e çështjeve politike, Donika Emini për lajmi.net është shprehur Bashkimi Evropian qysh nga emërimi i Josep Borell në krye të diplomacisë dhe emërimin e Miroslav Lajçak si emisar për dialogun ka treguar pretendimet e veta për dialogun.

“BE ka qenë edhe më herët pro-aktive por ka pasur ndikim tepër të madh amerikan në dialog dhe nuk ka pasur shumë shanse. Dihet se Borelli pas marrjes së detyrës ka ardhur në Kosovë për të diskutuar me liderët politikë për çështjen e dialogut dhe aty BE e ka bërë të ditur se ka synime për rolin në dialog, pastaj edhe vizita e Lajçakut në Kosovë. BE vazhdimisht ka kërkuar rikthim në proces dhe këtë e ka kërkuar Gjermania më shumë, rikthimi i Francës është u çuditshëm, ky Samiti i Parisit që do të mbahet në korrik ka pasur të mbahet në vitin e kaluar në korrik por nuk është mbajtur për shkak të taksës 100 për qind.”, tha Emini për lajmi.net.

Më tutje, Emini është shprehur se ekziston një luftë e hapur midis partnerëve strategjikë të Kosovës që tashmë po ndodh edhe në Twitter, dhe secila po e shfrytëzon dobësimin e tjetrit për të marrë terren.

Sipas Eminit, Kosova nuk e ka lluksin që të krijojë armiqësi dhe ndasi midis partnerëve të saj strategjikë, duke thënë se gjeopolitika ka ndryshuar dhe aktualisht mund të ketë edhe ndikim të madh të Kinës dhe Rusisë të cilat janë shumë më të zëshme.

“Po shihet luftë e hapur midis partnerëve tanë strategjikë, e hapur dhe po ndodh edhe në Twitter dhe në momentin që njëra palë dobësohet tjetra e merr terrenin dhe për Kosovën vetëm një koordinim i mirë i të gjithëve do të mund të sillte një sukses të mirë, duke marrë parasysh se po flasim për rrethana të ndryshme gjeopolitike nga viti 2008 dhe po flasim për Rusi e Kinë më të zëshme sesa atëherë dhe nuk e kemi lluksin që këta partnerë strategjikë t’i ndajmë mes veti ose të shkaktojmë armiqësi ndaj njëra-tjetrës.”, tha Emini.

E shumë optimiste për dialogun është treguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.

“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, ka thënë ajo dje në Twitter.

Por në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike në vend kanë shprehur mendimet e tyre se dialogu Kosovë – Serbi pa presidentin dhe në aktualitetin politik në të cilin ndodhet Kosova do të ishte i rrezikshëm dhe Kosova do të ishte në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë.

Shpërndaje në: