A po shpërbëhet koalicioni i Angela Merkelit?

Leonard Schuette Op-Ed

Për një parti që predikon ungjillin e solidaritetit, pikërisht solidariteti është gjëja po i mungon më shumë sot Partisë Social Demokrate Gjermane (SPD). Të dielën e 2 qershorit, udhëheqësja e partisë, Andrea Nahles, dha dorëheqjen pas disa ditë presionesh të brendshme (të përshkruara nga zërat brenda partisë si “bullizëm”).

Vendimi i saj, erdhi pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet evropiane, duke rënë nga 27.3 në 15.8 për qind të votave, dhe humbur bastionin e SPD në Bremen. Dorëheqja e Nahles, e ka zhytur SPD në kaos, por ajo po kërcënon më seriozisht mbijetesën e koalicionit të madh qeverisës midis SPD-së, Unionit Kristian Demokrat (CDU) të qendrës së djathtë të Angela Merkelit, dhe simotrës së saj bavareze të krahut të djathtë, Unionit Kristian Social (CSU).

Në fakt, koalicioni qeverisës ka qenë i brishtë, që kur u formua vitin e kaluar. Në prag të zgjedhjeve federale të vitit 2017, blloku CDU/CSU u përpoq të hynte në një koalicion me të Gjelbrit dhe me liberalët e Partisë së Demokratëve të Lirë (FDP), por negociatat u ndërprenë pas 11 orësh, dhe SPD-ja u bë zgjedhja e dytë në një koalicion që urrehej nga shumica e votuesve dhe deputetëve të saj kryesorë.

SPD-ja ka shërbyer si partnerja e vogël e CDU/CSU, në 3 nga 4 kabinetet e Merkelit, që nga viti 2005. Ndërsa ka ndikuar me sukses në realizimin e reformave të shumta, duke përfshirë futjen e pagës minimale, sjellja e zgjuar e Merkelit ndaj politikave të SPD-së, nënkupton se votuesit nuk ia njohinn meritat SPD-së as për këto arritje.

Profili i veçantë i partisë u zbeh, dhe në vitin 2017 ajo mori rezultatin më të keq në historinë e saj të gjatë në zgjedhjet federale. Udhëheqësi i atëhershëm i partisë, Martin Shulc, tha se SPD nuk do të hynte më në të ardhmen në një koalicion me CDU. Siç shkruan gjërat, rezultoi që ai e kishte gabim.

Në emër të stabilitetit politik, dhe me urdhër të presidentit gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer – vetë një “xhaketë e vjetër” e SPD – partia u rikthye tek koaliconi me partinë e Merkelit.

Përkrahësit e koalicionit të madh, veçanërisht Andrea Nahles, argumentuan se do të ishte papërgjegjshmëri të mos qeverisnin vendin, dhe se ripërtëritja politike, do të ishte e mundur edhe brenda koalicionit të madh.

Por rënia e popullaritetit të SPD-së, ka vazhduar në mënyrë të pandalshme, dhe kritikët e koalicionit të madh, siç është lideri i të rinjve të SPD-së, Kevin Kynert, janë bërë shumë më të zëshëm. Zgjedhjet për drejtuesin e ri të SPD-së, mund t’i japin fund koalicionit të madh, dhe të çojnë në zgjedhje të reja federale.

Procedura e zgjedhjes së një udhëheqës të ri të SPD-së nuk është e paracaktuar, por ka një rritje të oreksit për ta lejuar anëtarësinë të vendosë. Nëse kjo ndodh, baza e partisë ka të ngjarë të vendosë shkëputjen nga koalicioni me CDU, për të pasur një ripërtëritje të plotë programore, jashtë kufizimeve të qeverisjes si një partnere e vogël.

Në këto kushte një kandidat i vazhdimësisë, që do të mbronte vazhdimin e koalicionit të madh, nuk mund të ketë asnjë shans të zgjidhet. Nëse SPD do të tërhiqej nga koalicioni, blloku CDU/CSU ka dy mundësi për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme, në të cilat do të kishte gjasa të pësonte një goditje të fortë.

Së pari, ai mund të përpiqet të ringjallë bisedimet me të Gjelbrit dhe FDP. Por suksesi nuk ka gjasa të jetë i garantuar. Në zgjedhjet e fundit evropiane, të Gjelbrit, morën më shumë se dyfishin e votave në krahasim me vitin 2017, dhe do të duan të përfitojnë nga momenti edhe në zgjedhjet e reja.

Ose koalicioni CDU/CSU mund të vendosë të vazhdojë qeverisjen i vetëm, si një qeveri e pakicës, duke kërkuar shumicën rast pas rasti. Kjo është diçka e pashembullt në Gjermani,
dhe nuk do të përputhej me kulturën politike të vendit, e cila kërkon gjithmonë stabilitet.
Prandaj, zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahet këtë dimër. Ato do të lajmëronin një epokë të re në politikën gjermane, pasi do të jenë zgjedhjet e para në 14 vitet e fundit ku nuk garon apo fiton Merkel. Atëherë, çfarë do të sjellin zgjedhjet e reja federale?

Ashtu si në vende të tjera evropiane, peizazhi politik në Gjermani po ndryshon me shpejtësi, me partitë kryesore që po e humbasin mbështetjen, ndërsa partitë më të vogla që kanë qëndrime të qarta mbi çështjet jetike bashkëkohore si ndryshimet klimatike, emigracionin apo integrimin evropian, nga të Gjelbrit tek e djathta ekstreme, që janë duke fituar terren.

Në zgjedhjet evropiane, ndryshimi i klimës ishte çështja më e rëndësishme për votuesit gjermanë. Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë (AfD), e kërcënuar nga sherret e brendshme mbi donacionet e paligjshme, humbi terren, në krahasim me paraqitjen mbrelënëse
në zgjedhjet federale të 2017-s.

Por është shumë herët të thuhet nëse AfD-ja, e ka arritur tashmë kulmin e vet. Më tregues për këtë do të jenë zgjedhjet rajonale në bastionet e saj në ish-Gjermaninë Lindore, të cilat mbahen këtë vjeshtë. Me CDU-në në kaos, dhe çështjen se kush do ta pasojë Merkelin, që po lë në hije çështje të tjera, duket se zgjedhjet e parakohshme, do të sjellin një qeveri të re të formuar nga CDU/CSU dhe të Gjelbrit, një SPD të dobët në opozitë, dhe disa parti të vogla të përfaqësuara në Bundestag.

Ky konfigurim, mund të ringjallë debatin politik, që është shuar nën peshën e koalicioneve
të mëdha të njëpasnjëshme. Por ai mund të jetë gjithashtu një lajm i keq për Evropën. Politika gjermane, mund të gjallërohet nga largimi i Merkelit, por gjithashtu do të bëhet edhe më e mbyllur në vetvete, dhe Bashkimi Evropian, pikërisht në një periudhë të destabilitetit ndërkombëtar, do të humbasë një vend që udhëhiqte dikur unionin.

“New Statesman” – Bota.al

Shpërndaje në: