‘A u kënaqët’: Çka duhet të dini deri tani për ‘Lushtakët VS Policia’ dhe si vluan mbrëmë debatet televizive

‘A u kënaqët’: Çka duhet të dini deri tani për ‘Lushtakët VS Policia’ dhe si vluan mbrëmë debatet televizive

A kemi të drejtë ta sulmojmë një polic? Duket pyetje absurde, por ja që u bë, mbrëmë. A arsyetohet në ndonjë rrethanë ngjarja në Skënderaj? Pyetje absurde, por u bë. Duhet ta dini: një polic, nuk sulmohet asnjëherë. Për gjithçka, ekzistojnë mekanizma ku mund të përcillni pakënaqësitë tuaja për mënyrën se si ju trajton një polic, e një syresh është Inspektorati Policor i Kosovës.

30 ditë paraburgim i janë caktuar Nuredin Lushtakut, i përfshirë në incidentin me policinë në Skënderaj. ‘A u kënaqët’ – ishte fjalia e Lushtakut drejtuar gazetarëve që mbrëmë, për shumë orë, qëndruan para gjykatës për ta pritur vendimin.

Fundjava u karakterizua me temën e përleshjes mes disa qytetarëve dhe policisë së trafikut në Skënderaj. Policia e trafikut, pasi i shqipton gjobën një qytetari – i cili qëllon të jetë djali i Nuredin Lushtakut, i del telashe. Pas një incidenti – shkaku i tiketës, mbetën të plagosur dy policë. Kjo pasi djali i Nuredin Lushtakut, përfshin edhe vet këtë të fundit në incident, duke e thirrë për në vendin e ngjarjes.

Debatet rreth incidentit:

Pothuajse në të gjitha debatet televizive kosovare, mbrëmë është trajtuar kjo temë, me tituj të ndryshëm, por kryesisht me fokusin e ‘dhunës ndaj Policisë’.

Në emisionin kryesor të debatit Pressing në televizionin 7, analistët dhe njohës të sigurisë, u pajtuan njëzëri që ‘dhuna ndaj policisë është e papranueshme’.

Avni Zogiani, analist dhe anëtar i Vetëvendosje, sqaroi statusin ironizues për Lushtakun që e kishte fshirë pas pak sekondash, se ‘Lushtaku po e bëntë betejen e vërtetë’. Ai tha se ka qenë një moment ironizues me situatën. Nuk tregoi pse e fshiu statusin.

Për Zana Avdiun, influencere dhe analiste, dhuna ndaj policisë rrjedh edhe si pasojë e diskursit të kultivuar ndër vite por edhe sjelljes së partive politike ndaj organeve të rendit. E pati fjalën për Vetëvendosjen.

“Na kujtohet që partia në pushtet, linçonte publikisht dy policë që ishin arrestuar në veri, që ishin të shtrirë, pastaj edhe gjuha e tyre si ‘hajt shkoni në veri nëse guxoni, etj’, tha Avdiu, përcjell Periskopi.

Për Rashit Qalajn, deputet i PDK-së dhe ish drejtor i Policisë, dhuna ndaj policisë në asnjë rrethanë nuk arsyetohet.

“Policisë nuk guxon me iu afru 1 apo 2 metra sipas ligjit”, tha Qalaj.

Ndërkaq në emisionin e debatit të tv Dukagjini, kishte njohës të çështjeve të sigurisë dhe njerëz që punojnë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Analisti Yll Hoxha mori vëmendjen, kur duket se në afekt me komentimin e ngjarjes, tha se ‘një prind normal do të duhej ta rrihte djalin e vet në këso rrethane, e jo të shkonte ta ndihmonte’.

“Me pas qenë ai (Nuredin Lushtaku) prind normal, i kish hi qytek djalit të vet”, tha Hoxha.

Autori i emisionit, ndërkohë do të bënte një telefonatë, me vëllain e Nuredin Lushtakut, Kemajlin, për ta pyetur se a kishin probleme më herët me policin Enver Berisha.

“Nuk kam kohë me komentu, atë polic e njeh krejt Skënderaji”, thotë Kemajl Lushtaku në telefon.

Por kjo telefonatë, do të acaronte studion pasi autori i emisionit do të haste në përplasje me analistin Ylli Hoxha.

Ky i fundit, nuk dëshironte që debati ta merrte atë kahje, sa policit t’i ndërtohej një profil prej fajtori.

Në Politiko të kanalit 10, i pranishëm ishte Fatmir Limaj i Nismës. Incidenti i Lushtakëve me Policinë, nuk shpëtoi pa u komentuar.

Fatmir Limaj, dëshiron që ‘të priten vendimet e gjykatës për këtë temë’ dhe të ‘mos paragjykojmë’.

Por, para vendimeve të gjykatës, ashtu si shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarëve, dëshiron të flasë Halil Matoshi disa fjalë me vend:

“Kur sulmohet policia, sulmohet shteti”. /Periskopi/

Shpërndaje në: