AAK përjashton asamblisten e saj pasi kjo e fundit votoi kandidatin e LVV-së për kryesues të Kuvendit në Gjilan

AAK përjashton asamblisten e saj pasi kjo e fundit votoi kandidatin e LVV-së për kryesues të Kuvendit në Gjilan

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan e ka përjashtuar nga partia asamblisten Ardita Ukshini.

Përjashtimi i saj ka ndodhur pasi ajo ka votuar pro zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në njoftimin e degës së AAK-së në Gjilan thuhet se mendimi i lirë është i garantuar me statutin e partisë, por i cilësojnë të papranueshme vendimet që janë në kundërshtim me ato të partisë.

“Asamblistja e AAK-së në Gjilan, Ardita Ukshini, të lirohet nga të gjitha funksionet në parti si dhe nga Grupi i Asamblistëve të AAK-së në Kuvend. Mendimi dhe fjala e lirë janë të garantuara me statutin e partisë, por veprimet që bien ndesh me vendimet e shumicës dhe të partisë, janë të papranueshme. Andaj, asamblistja jonë, Ardita Ukshini në seancën e sotme të Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me vendimin e partisë, duke shpërfaqë interesat personale para atyre partiake e qytetare”.

Arianit Sadiku është zgjedhur sot kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit me 18 vota, pas koalicionit PDK-VV.

Shpërndaje në: