AAK sugjeron qeverinë të vendosë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

AAK sugjeron qeverinë të vendosë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i sugjeron Qeverisë së Kosovës të vendosë masën e reciprocitetit në gjitha fushat ndaj Serbisë. Në partinë e Ramush Haradinajt, thonë se vendimi për reciprocitet për targa ndaj automjeteve serbe është i mirëseardhur, por nuk është dashur të merret në periudhën e zgjedhjeve lokale. Sipas tyre, ky vendim mund të jetë marrë qëllimshëm edhe për të stopuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Nënkryetarja e AAK-së, Time Kadrijaj shprehet e shqetësuar me situatën e tensionuar në veri të vendit, derisa thotë për KosovaPress, se me anë të vendimit për reciprocitetin për targat i është bërë e padrejtë shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit, pasi po ndëshkohen në dy drejtimet.

“Zotëri Kurti në vazhdimësi ka potencuar para se të vijë në pushtet që çështja e reciprocitetit është çështje ditësh, jo javësh e as muajsh. Meqenëse zotëri Kurti ka shumicën absolute në Kuvend dhe duke u sjellë me arrogancën e numrave do ta sjellë reciprocitetin në gjitha sferat. Tash vonë vendosi reciprocitet me targat, por më herët ka hequr reciprocitetin për tullat që dëmton ekonominë e Kosovës. Nëse duhet të vendoset reciprocitet të vendoset në tërësi dhe të implomentohen në gjitha sferat, ashtu siç trajtohen e Kosovës kur udhëtojnë në Serbi, njëjtë të trajtohen edhe ata kur udhëtojnë në Kosovë. Ne duhet ta shtrijmë integritetin dhe sovranitetin në gjithë Kosovën dhe ashtu e përkrahim të gjithë. Pak i është bërë e padrejtë shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit sepse tash po ndëshkohen në dy drejtimet”, thotë ajo.

Kadrijaj e cila është edhe deputete e AAK-së në Kuvendin e Kosovës thotë për KosovaPress, se vendimi për reciprocitet ka prapavijë edhe elektorale, derisa ngre dyshime se mund të jetë i qëllimshëm për ta stopuar procesin e dialogut.

“Nuk është dashur të merret ky vendim tash në periudhën e zgjedhjeve lokale dhe kur po potencohen vazhdimi i dialogut. Ndoshta është bërë qëllimshëm që të stopohen procesi i dialogut, derisa të kryhen zgjedhjet lokale”, thekson Kadrijaj.

Zvarritja e procesit të dialogut, sipas Kadrijajt, nuk i konvenon Kosovës, derisa kritikon kryeministrin Kurti për qasje populiste me dialogun në Bruksel.

“Kemi pa se kjo qeveri ka bërë populizëm në Bruksel thuajse që po i adresohet qytetarëve të Kosovës. Ajo që duhet të dialogut është statusi final, njohja reciproke nga dyja vendet, Serbia ta njeh Kosovën dhe realitetin e ri të Kosovës si shtet të ri dhe të pavarur dhe normalisht të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore sikurse me gjitha vendet e tjera. Por sipas deklaratave po shohim se është e largët. Nuk duhet të s’postohet procesi i dialogut sepse Kosovës i kushton zvarritja”, thotë ajo.

Nënkryetarja e AAK-së për KosovaPress, flet edhe për zgjedhjet lokale, ku thotë se në 6 komunat që veçse udhëheqin kryetarët e AAK-së do të fitojnë pa balotazh.

“Aleanca qëndron mirë sepse aktualisht i ka 6 komuna që udhëheq me kryetarë që kanë pasur performancën e mirë, të vlerësuar edhe nga organizatat monitoruese në nivelin lokal. Kanë pasur një transparencë dhe qeverisje të shkëlqyeshme. Përveç këtyre komunave që do t’i mbajmë dhe do t’i fitojmë pa balotazh, ne kemi edhe kandidat të tjerë të shkëlqyeshme, siç është Besnik Tahiri për Podujevën, që s’ka kandidat më të avancuar, kemi Daut Haradinaj në Prishtinë që ka bërë performancë të mirë dhe po takon qytetarët në çdo lagje  të Prishtinës, po ashtu kemi edhe Bekë Berishën në Istog, Peja dhe shumë komuna të tjerë. Kemi caktuar kandidat për kryetar kredibil dhe kemi lista kualitative për asambletë komunale”, pohon Kadrijaj./KP

Shpërndaje në: