Abazoviç konfirmon pjesëmarrjen në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur

Abazoviç konfirmon pjesëmarrjen në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për “Ballkanin e Hapur”.

“Unë do t’i përgjigjem ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në Samitin e ‘Ballkanit të Hapur’ në Ohër. Do të shkoj në cilësinë e kryeministrit”, tha Abazoviq, duke theksuar se çdo iniciativë rajonale, e cila mund të përshpejtojë integrimin, është diçka që duhet të pranohet.

Kryeministri i vendit, që deri tash ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë iniciativë rajonale, ka thënë se nuk ka dëgjuar argument të vlefshëm pse Mali i Zi nuk duhet të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Nëse dikush ka ide për të bërë një zëvendësim për integrimin evropian, ne nuk jemi të interesuar, por realisht nuk kam dëgjuar një argument të vlefshëm që të thotë se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për Malin e Zi. Nuk kam dëgjuar argument të vlefshëm nga shteti”, ka thënë Abazoviq, shkruan B92, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, kryeministri shqiptar i Malit të Zi e kishte paralajmëruar në intervistën ekskluzive dhënë për “Rubikon” të Klan Kosovës se është pro “Ballkanit të Hapur”.

Ai kishte thënë se kjo iniciativë është e krijuar që brenda vetes t’i ketë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe se është Kosova që, po ashtu refuzon pjesëmarrjen, përfiton më së shumti duke qenë pjesë e kësaj iniciative.

 

Shpërndaje në: