Abdixhiku i reagon Kurtit: Po flet si analist e si opozitar, merr masa e vepro

Abdixhiku i reagon Kurtit: Po flet si analist e si opozitar, merr masa e vepro

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin Kurti për vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në oborrin e Gjinekologjisë, ku e vrarë mbeti një 35-vjeçare shtatzënë e i dyshuar është ish-burri i saj.

Abdixhiku tha se Kurti po flet si analist e opozitar dhe se “nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit”.

Ai e ka kritikuar Kurtin për atë se Ministria e Shëndetësisë aktualisht është pa ministër.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, ka shkruar ai.

I pari i LDK-së përmendi edhe faktin që nuk ka kryeprokuror të shtetit.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tha se nëse Kurti “do përgjegjësi le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe zingjirin komandues të cilin e ka caktuar vetë ai”.

“Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë. Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.  Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro. Për atë punë je aty”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

Shpërndaje në: