Abdixhiku ia kujton Kurtit: Dokumenti i gushtit kishte njohjen në qendër, tani nuk dihet se çfarë ke pranuar

Abdixhiku ia kujton Kurtit: Dokumenti i gushtit kishte njohjen në qendër, tani nuk dihet se çfarë ke pranuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se nuk ka informuar partitë opozitare në lidhje me pranimin e planit evropian.

“As unë e as LDK as një parti tjetër nuk kemi qenë në dijeni të saktë të draftit përfundimtar të dokumentit në fjalë, nuk kemi qenë në negociata dhe të informuar”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, askush nuk e di çfarë ka pranuar kryeministri Kurti.

Ai në detaje ka treguar se në gusht të vitit të kaluar në takim të përbashkët me kryetarët e partive parlamentare në opozitë, kryeministri Kurti u kishte dorëzuar një dokument një faqësh me gjashtë kapituj i njohur si plani franko-gjerman që përmbante elementet që duhet t’i ketë marrëveshja finale me Serbinë.

“Ajo përfshinte njohje reciproke në qendër, përfshinte elemente rreth të kaluarës, dëmet e luftës, të zhdukurit, reciprocitet të plotë të angazhimit në Luginë të Preshevës, rikonsiderim të marrëveshjeve paraprake”, ka vijuar ai.

Abdixhiku ka theksuar se në një takim tjetër, kur Kurti ua kishte dorëzuar planin franko-gjerman, në të nuk shkruhej njohja reciproke.

Abdixhiku e ka pyetur kryeministrin Kurti se marrëveshja finale me Serbinë a përfshin njohjen reciproke në qendër dhe a i përfshin elementet e platformës që ka prezantuar në dokumentin paraprak para opozitës.

“Nën marrëveshjen e pranuar a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare apo për një marrëveshje bazë, marrëveshja e pranuar nga ju në parim a e ka njohjen reciproke në qendër të saj, marrëveshja e pranuar nga ju në parim a i ka elementet e platformës që i prezantuat ju që i ka dëmet e luftës dhe a parasheh rikonsiderimin e marrëveshjeve paraprake?”

Sipas tij, Kurti duhet të deklarojë se çfarë elementesh përmban produkti përfundimtar i këtij plani.

Shpërndaje në: