Abdixhiku për familjen Jashari: Ata zgjodhën lirinë prandaj dhe morën përjetësinë

Abdixhiku për familjen Jashari: Ata zgjodhën lirinë prandaj dhe morën përjetësinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari, shkruan Periskopi.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri”, tha ai ndër të tjera.

Sipas tij flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit.

“Ata zgjodhën lirinë prandaj dhe morrën përjetësinë”, tha ai.

Njoftimi i plotë:

Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim.
Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.
Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!”

Shpërndaje në: