Abdixhiku: Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë dimrin më të rëndë

Abdixhiku: Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë dimrin më të rëndë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverinë lidhur me mungesën e planeve për përballimin e dimrit, i cili është paralajmëruar të jetë ndër më të vëshitrët ndonjëherë. Numri një i LDK-së thotë se qeveria nuk ka marrë masa të ndihmojë familjet që janë goditur nga inflacioni, duke mos lehtësuar çmimet e drunjëve dhe peletit, teksa shton se në shtator do të duhej të ishte e gatshme një pako e re fiskale.

Abdixhiku në statusin e tij në Facebook thotë se qeveria vetëm po vëzhgon gjendjen në të cilin gjendet vendi. Ai cek edhe një deklaratë të Kurtit ku thoshte se rryma nuk “ruhet në frigorifer”. Abdixhiku thotë se shteti duhet të paraprijë krizës energjietike me marrëveshje të parakohshme me vende tjera për import të rrymës.

“Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godisin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë. Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blehet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjërë”, shkruan ai.

Ai shton se në dy vite qeverisje nuk është investuar në asnjë potencial të ri energjetik.

“Në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë. Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi. E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë. Familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë. Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë”, shtoi ai.

Abdixhiku vijon tutje duke thënë se Qeveria do të arsyetohet duke përmendur “20 vitet e kaluara”

“Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, përfundon ai.

Shpërndaje në: