Abdixhiku reagon pas anulimit të Sunny Hill në Prishtinë: Skandal, refuzim paranoik nga pushteti i Kurtit

Abdixhiku reagon pas anulimit të Sunny Hill në Prishtinë: Skandal, refuzim paranoik nga pushteti i Kurtit

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvendosjes së festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë. Abdixhiku ka fajësuar qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, “i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë”.

“Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë”, shkruan Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

Thotë se qeveria doli kundër vendimit të qeverisjes së LDK’së në kryeqytet për mbajtjen e këtij festivali.

“Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë”, thekson ai.

Shkrimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:

Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë.

Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë.

Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë.

Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në mënyrë që ta mbajë këtë ngjarje në Kosovë.

Por procedurat më tej janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht. Festivali ishte paraparë të mbahej nga 4 deri më 7 gusht.

Festivali që nisi së mbajturi në 4 vite më parë, kishte pauzuar gjithashtu edhe në vitet 2020 dhe 2021, si pasojë e pandemisë Covid-19, që përfshiu të gjithë botën.

Edicioni i parë i festivalit ishte mbajtur mes 10 dhe 12 gushtit në vitin 2018 në Parkun e Gërmisë. Siç patën thënë organizatorët në atë vit, festivali ishte ndjekur nga më shumë se 18 mijë njerëz. Çmimi i biletave ishte 55 dollarë. Mes performuesve ishte edhe vetë këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, me grupin e tij Oda.

Edicioni i dytë i festivalit ishte mbajtur në vitin 2019, mes datave 2, 3 dhe 4 gusht, po ashtu në Parkun e Gërmisë. Mes performuesve ishin artistët botërorë Calvin Harris, Gashi, Klangkarussell, Miley Cyrus dhe sërish, vetë Dua Lipa.

Dy vitet pasuese, 2020 dhe 2021, festivalit ia mori pandemia, ndërsa në vitin 2022 festivali nuk do të mbahet për shkak të neglizhencës institucionale dhe sipas informacioneve të Gazetës Express tanimë të konfirmuara, festivali “Sunny Hill” do të zhvendoset në Tiranë.

Shpërndaje në: