Abdixhiku uron 28 Nëntorin: Forcimi i shtetit të Kosovës, sot është akti më i lartë patriotik

Abdixhiku uron 28 Nëntorin: Forcimi i shtetit të Kosovës, sot është akti më i lartë patriotik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ua ka uruar festën e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se në këtë datë e ditë historike kujtojnë përpjekjet e shqiptarëve ndër shekuj për shtet, për liri e për avansim shoqëror mes popujsh të tjerë.

“28 nëntori para se të jetë festë, ka qenë motiv i yni kolektiv. Prandaj, sot, në liri, kjo datë e kjo ditë na kthen e mbanë përherë tek gjithë patriotët tanë, burrat e gratë më të shquar të vendit, që dhanë jetën në altarin e lirisë. Na kthen tek gjeneratat e tëra, që – secila në mënyrën e vet – mirëmbajtën gjallë aspiratën tonë të patjetërsueshme, për liri e shtetësi”.

“Sot, forcimi i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, i fortë dhe i drejtë, i zhvilluar dhe i barabartë, pjesë e familjes euroatlantike është akti më i lartë patriotik që gjeneratat e tashme dhe të ardhme duhet ta kenë. Lidhja Demokratike e Kosovës, mbetet gardian i një rrugëtimi të tillë, të pashterrshëm, të pandalshëm, të patjetërsueshëm”,ka thënë Abdixhiku.

Shpërndaje në: