Abdixhiku: Zoti e bekoftë rikthimin e LDK-së në pozitën e saj origjinale në Llap

Abdixhiku: Zoti e bekoftë rikthimin e LDK-së në pozitën e saj origjinale në Llap

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vizitën e radhës e bëri në komunën që thuhet se më së shpeshti e ka vizituar, në Podujevë, me ç’rast u prit nga kandidati i LDK-së, për kryetar, Dr. Ekrem Hyseni.

Abdixhiku dhe Hyseni, takimin e parë me banorë e nisën në Sallabajë, për të vazhduar më tej në Balofc, e për ta përmbyllur vizitën në Kërpimeh. Në të tri takimet, kandidati për kryetar, Dr. Ekrem Hyseni, shpalosi programin qeverisës “Podujeva Për Të Gjithë”, brenda të cilit janë 9 super projekte kapitale, në mesin e të cilave edhe Projekti i Ngrohjes së Qytetit, Ekonomia Llapjane Për Tregun Evropian, Qendra Multifunksionale për Rini, Arsimi i Orientuar nga Tregu i Punës, Ndërtimi i Spitalit të Podujevës, dhe të tjera.

“Programi ynë është në harmoni me nevojat dhe kërkesat e të gjithë qytetarëve, kudo që jetojnë, në fshat e qytet. Është program i të gjithëve e për të gjithë”, ka thënë Hyseni.

Me këtë rast, gjatë këtyre takimeve, kryetari Abdixhiku, ka shprehur besimin e plotë ndaj Hysenit si dhe i ka falënderuar llapjanët për përkrahjen që po ia japin Dokut dhe LDK-së.

“Llapjanë, faleminderit nga shpirti e me gjithë shpirt. Atë që ju e mendoni e thoni, e ne e dëgjojmë dhe e shndërrojmë në vendim. Frymëmarrja jonë politike është në Llap. Mendimi, fjala e zëri juaj, nuk janë vetëm këshillë e vyer për ne, por edhe vlera përcaktuese të vendimeve tona. Ndaj, jam i lumtur që u kemi dëgjuar, dhe po aq i vendosur që do të ju dëgjojmë përherë. Sepse falë këtij dëgjimi, LDK po rikthehet fuqishëm. Ndaj, më lejoni që t’ju falënderoj përzemërsisht. Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë edhe rikthimin e LDK-së në pozitën e saj origjinale në Llap”, është shprehur Abdixhiku.

Abdixhiku, përveçse e vlerësoi maksimalisht Dr. Ekrem Hysenin, ai tha edhe një gjë tepër interesante për të.

“Urtësia e Dokut është e bazuar në dije e guxim, të cilën e ka krejt natyrale, ndërsa frymëzimi dhe begatimi i mëtejmë i urtësisë së tij, i ka rrënjët në idolin e të parin tonë politik, Presidentin Rugova”, tha Abdixhiku.

 

Ndër të tjera, Abdixhiku, theksoi se Doku e do Llapin pa kushte dhe këtë e dëshmuar në të gjitha rastet.

 

“Doku është njeriu më i përzemërt në Llap, ndaj do të jetë edhe kryetari më i përzemërt për të gjithë në Podujevë. Doku ka kontribuar që vendi të jetë i lirë. Doku ka kontribuar që shëndeti i njerëzve të jetë i mirë. Doku do të kontribuon edhe që Podujeva të jetë e zhvilluar për të gjithë. Ai e do Llapin pa kushte dhe këtë e dëshmuar në të gjitha rastet”, ka vlerësuar Abdixhiku.

 

Vlen të theksohet se, ditë më parë, përderisa Abdixhiku realizonte një takim me të rinjtë e kësaj ane, njëri nga ta e pyeti se si e komenton prezencën e tij të shpeshtë në komunën e Podujevës, me ç‘rast i njëjti kishte shtuar se është shumë i kënaqur për një gjë të tillë.

“Po, ke të drejtë. Kam ardhur shpesh dhe të premtoj se do të vij edhe më shpesh, ngase është kënaqësi të qëndrosh në zemër të shtëpisë sonë, në zemër të LDK-së, në Podujevë, pra arsyeja jeni vet ju, për çka edhe ju falënderoj shumë”, i ishte përgjigjur Abdixhiku të riut.

Më tej, Abdixhiku kishte thënë se, me LDK-në e rikthyer në pozitën e saj origjinale – si e para në Podujevë, natyrshëm kthehen edhe mundësitë për të gjithë e për zhvillimin të përgjithshëm të komunës.

Siç shihet, Abdixhiku po e mban fjalën e dhënë ndaj të riut, ngaqë atë po e shohin gati në çdo cep e në çdo derë të Llapit.

Shpërndaje në: