Adem Demaçi apo manuali i vetëmohimit

Adem Demaçi apo manuali i vetëmohimit

Shkruan: Musli Krasniqi

Thuhet se i madh është ai popull që jep njerëz të mëdhenj. Historia njerëzore ka radhitur nëpër skemat e veta shumë syresh, që nëpër etapa të caktuara kanë lënë gjurmët e veprës së tyre. Siç do të thoshte Horaci, është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe, por më kënaqësi është të jetosh për të.

Analet e historisë kombëtare janë të mbushura me të tillë heronj. Ndër ta, njëri për të cilin as publicistika e as vet historia ende nuk ka dhënë fjalën e plotë dhe as për së afërmi në përmasën meritore.

Adem Demaçi.

Figurë markante e kombit, që nga mesi i errësirës i jepte diell popullit të vet. Me gjakun valë e zemrën zjarr, koha e farkëtoi me virtytet më të larta të atdhetarit, duke e bërë udhërrëfyes të vetëmohimit për të mirën e kombit.

Pas tij, veprimtarët e patën më të lehtë ta gjejnë rrugën e lirisë.

Historia nuk ua ka rezervuar të gjithëve rënien në altar lirie, si akt sublim i përfundimit të veprimtarisë jetësore. Por ajo merr në gjirin e saj dhe i njeh si heronj, po në lartësinë e të rënëve, të gjithë ata që jetën e tyre e vunë në shërbim të kombit e të atdheut, çdo ditë, në mënyra e në rrethana të ndryshme.

Jehona e veprës kombëtare të Adem Demaçit do t’u shkojë brezave si kushtrim, sa herë që përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri të vihen në pikëpyetje.

Shpërndaje në: