Aeroporti dhe KEDS-i “nën hetime”
Dyshimet për mospërmbushje të marrëveshjeve me Qeverinë e Kosovës i ka vënë në veprim anëtarët e këtij komisioni.
Kështu në planin për vitin 2017-të Komisioni për Zhvillim Ekonomik i prirë nga Muhamet Mustafa, do ta ketë si detyrë monitorimin e këtyre ndërmarrjeve. Duke filluar nga plani i tyre për investime që parashihen me marrëveshjet e Qeverisë se Kosovës, trajtimi i punëtorëve, e deri të reduktimet e dyshimta nga KEDS që aplikoi gjatë vitit të kaluar.
Gazeta Fjala ka siguruar procesverbalet e mbledhjes se fundit të këtij komisioni dhe debatet mes deputetëve rreth kësaj çështje.
Propozimin për monitorim e ka dhënë deputeti Rrustem Berisha, por që ka gjetur mbështetjen e shumicës se anëtarëve të komisionit, shkruan Gazeta Fjala.
“Sa i përket këtij plani të punës për vitin 2017, ne e kemi analizuar këtë plan dhe ka shumë aktivitete që janë paraparë, të cilat ne i përkrahim. Ajo që na ka ra në sy, mendoj që ishte dashur të jetë pjesë e këtij plani të punës, është monitorimi i marrëveshjeve të koncesionit të aeroportit, postës, KEDS-it, vërtet për të parë se sa po zbatohen këto marrëveshje dhe sa po respektohen në praktikë”, citohet të ketë thënë Berisha në mbledhje të komisionit.
Mustafa kërkon raport se sa po zbatohen kontratat
Propozimi i deputetit Berisha, ka marrë mbështetjën veçanërisht nga kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa.
Ai ka thënë se duhet të kërkohet raport i posaçëm edhe nga ministria përkatëse, rreth zbatimit të kontratave dhe obligimeve që kanë ndaj shtetit, këto ndërmarrje.
“Pra, krahas raportit në muajin shkurt që e kemi, t’i dërgojmë një shkrese ministrisë, që të na dërgojë raportin mbi zbatimin e kontratave në KEDS dhe aeroport”, ka thënë Mustafa.
Varësisht prej raportit nëse shihet se a ka pasur ndonjë shkelje a jo dhe nëse ministria përkatëse nuk ka marrë masa, atëherë Komisioni krijon një grup për monitorim.
Megjithatë ky propozim ka hasur në kundërshtimin e deputetit nga radhët e PDK-së, Besim Beqaj, i cili në kohën kur janë privatizuar këto ndërmarrje ka qenë në pozita të larta në ekzekutive.
Beqaj ka thënë se pajtohet në parim që të ketë monitorim, porse mbi bazën e ligjeve këto ndërmarrje monitorohen nga institucionet, të cilat janë të thirrura dhe mund t’i penalizojnë, në rast se nuk i kanë zbatuar kontratat.
“Ndërsa ne mund të shkojmë t’i verifikojmë, se a janë marrë aktivitetet apo nuk janë marrë, mirëpo monitorim të drejtpërdrejtë neve nuk na lejon ligji”, ka thënë Beqaj.
Kjo nuk i ka pëlqyer deputetit nga radhët e AAK-së Rrustem Berisha. Ai e ka pyetur Beqajn se cili ligj nuk e lejon monitorimin, gjë që ky i fundit nuk ka qenë në gjendje të tregoj se cili është ai ligj.
”E shoh, si shumë të nevojshme dhe ka shumë ankesa të shumta të qytetarëve. Unë dua ta di se si një deputet nuk ka të drejtë të kërkojë informata sesi po zbatohen kontratat, deputeti ka të drejtë. Pastaj, nëse e vlerëson se nuk është duke u zbatuar si duhet, ta ngre çështjen në Kuvend dhe pastaj ato institucione t’i japin llogari Kuvendit. Nëse nuk kontrollohet, nuk duhet të mendojmë se po shkon çdo gjë në rregull”, ka thënë Berisha.
Në fund Komisioni njëzeri vendosi ta fus si pikë të veçantë: “Shqyrtimin e raporteve mbi zbatimin e kontratave të koncesionimit të aeroportit dhe të privatizimit të KEDS-it”.
Ndryshe gjatë vitit të kaluar KEDS ka ngjallur shumë reagime për shkak të disa vendimeve kontradiktore për largim të punëtorëve nga puna dhe reduktimeve të shumta të energjisë. Bile tek reduktimet Komisioni për Zhvillim Ekonomik gjatë vitit të kaluar hartoi edhe raport për mundësinë e mashtrimeve nga KEDS me reduktimet e energjisë.
Reagime ka pasur edhe për koncesionarin e Aeroportit, rreth dyshimeve për mospërmbushje të kontratës me Qeverinë e Kosovës, në planin e investimeve afatgjate në Aeroport. /Gazeta Fjala/



