Aeroporti i Prishtinës tregon se çfarë masa kanë ndërmarrë ndaj koronavirusit

Periskopi.com Lajme

Bota po përballet me një virus vdekjeprurës që quhet koronavirus e që viktimat e para u identifikuan në Wuhan të Kinës, shkruan Periskopi.

Deri tani kanë vdekur mijëra persona, ndërsa çdo ditë po shënohen raste të reja në mbarë botën.

Edhe në Kosovë u ngjallën dyshimet për disa raste të prekura nga koronavirusi por që dolën të jenë negative. Dyshimet  u shtuan meqë së fundmi si vendi më i afërt i Kosovës që është prekur nga koronavirusi deri më tash është Italia. Deri më tani në Itali janë shënuar gjashtë viktima, ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 224.

E  zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, në një prononcim për Periskopin, thotë se në aeroport, kanë marrë masat e nevojshme për t’u kujdesur për udhëtarët, ku aty tashmë ndodhet një mjek dhe një infermiere të cilët kryejnë kontrollet në rastet kur pasagjerët deklarohen se nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore.

‘’Ne jemi duke punuar në bazë të rekomandimeve të ISHPK dhe ne kemi ekipin tonë mjekësore 24 orë që përbëhet nga një mjek dhe një motër medicionale. Në rast se udhëtarët paraqesin simptoma të gripit atëherë ata kontrollohen dhe në raste dyshimi izolohen në karantinën brenda aeroportit dhe më pas njoftohet ISHPK’’, tha Gara.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kishte pranuar një informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për një paciente të dyshimtë me sëmundjen Koronavirus COCID-19.

Pacientja kishte ethe, djegie të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndjeshëm, simptoma të ngjashme me virusin vdekjeprurës Në bazë të analizave, rezultati doli të jetë negativ./Periskopi/Z.R/

Shpërndaje në: