Agim Ademi flet pas shortit të sotëm

Agim Ademi flet pas shortit të sotëm

Në selinë e UEFA-s në Nyon është hedhur shorti ku janë mësuar vendet pritëse të finaleve të “play-off”-it në në kuadër të Ligës së Kombeve, ku vendosen katër kombëtaret e fundit pjesëmarrëse në Euro 2020.

Kombëtarja e Kosovës, e cila doli fituese e Grupit A në Divisionin D të Ligës së Kombeve, në gjysmëfinale të “play-off”-it do të luajë si mysafire e Maqedonisë së Veriut.

Në rast të kualifikimit në finale, atëherë Dardanët do të luajnë sërish si mysafirë me fituesin e çiftit tjetër të gjysmëfinales, Gjeorgji-Bjellorusi, pasi goglat e shortit nuk ishin me fat për Kosovën.

Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 26 mars, derisa finalja më 31 mars. Në tërheqjen e shortit ishte i pranishëm edhe delegacioni i FFK-së, presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përzgjedhësi Bernard Challandes, ndihmësi i tij, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala. Në rast kualifikimi në Euro 2020, Kosova do të jetë pjesë e grupit me Holandën, Ukrainën dhe Rumaninë.

Pas hedhjes së shortit Ademi u shpreh: “Ne po thuajse e kemi ditur se cilat ekipe mund të bien në grup me ne në rast të kualifikimit.

Ajo që kemi pritur në këtë short ka qenë se a do të jemi vendas në finale ne ose Maqedonia apo Gjerorgjia ose Bjellorusia. Fati deshi që të jetë në anën e tyre, kështu që të dyja ndeshjet do t’i luajmë si mysafirë.

Megjithatë, nuk kemi pse t’i frikësohemi këtij fakti, edhe pse dëshira jonë ishte që ndeshja finale të zhvillohej në Prishtinë dhe të festonim në stadiumin dhe shtetin tonë. Sidoqoftë, ne vazhdojmë ta ndjekim ëndrrën tonë dhe kam besim në kualitetin e lojtarëve dhe në punën e shtabit teknik.

Ekipi ynë kombëtar ka dëshmuar se ka pozitivitet dhe mentalitet fituesi, andaj sigurisht se do të punojmë dhe do të besojmë në suksesin tonë në të dyja këto ndeshje, në mënyrë që ta arrijmë kualifikimin e parë dhe historik në Euro 2020”. tha Ademi.

Shpërndaje në: