Agim Çeku-Bislimit: UÇK-ja nuk ka arkiva, s’kemi çka hapim

Agim Çeku-Bislimit: UÇK-ja nuk ka arkiva, s’kemi çka hapim

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku ka folur për ekzistencën ose jo të arkivave të UÇK-së, për çka zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato për UÇK-në, në takimet e 7 dhe 8 tetorit në Bruksel.

Ish komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ka thënë se nuk ka arkiva të tilla, sepse Kosova ka qenë gjithmonë e hapur dhe kjo është diçka e pakuptimtë.

“Jo UÇK-ja s’ka arkiva të tilla, ka arkiv shtetëror, por ne absolutisht s’kemi çka hapim, ne jemi kanë gjithmonë të hapur, nuk ka asgjë që ne kemi fshehur, kështu që ajo është diçka e pakuptimtë”, ka deklaruar për Infokusin Agim Çeku.

Tutje ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, deklaron se arkiva të tilla nuk ka dhe se tërë bota e di se kush është agresori dhe kush viktima dhe se UÇK-ja nuk ka pasur as politikë e as veprime të tilla kriminale.

“Absolutisht s’ka arkiva të tilla dhe s’ka çka me pasë arkiva të tilla, sepse krimet kanë qenë sistematike, strukturore të Serbisë, të kryera nga shteti dhe UÇK nuk ka bërë krime të tilla dhe prandaj nuk ka arkivë të tillë. Nuk mund të vihet në pyetje barazimi mes tyre, sepse krejt bota e di se krimet i ka bërë Serbia në mënyrë sistematike, të strukturuar, organizuar dhe janë kryer nga aparati shtetëror, kurse UÇK-ja nuk ka pasur as synim dhe as politikë të tillë e as veprime të tilla”, ka thënë Çeku.

Agim Çeku po ashtu ka deklaruar se Serbia mund të vijë lirisht të shikojë në arkivat shtetërore, sepse nuk ka asgjë, por nëse hapen arkivat serbe, ai ka thënë se do të dokumentohen krimet e mëdha serbe që janë bërë dhe se ato do të ndihmojë edhe krerët e UÇK-së që po përballen me akuza nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Nuk ka asgjë, Serbia le të vijë e të shikojë arkivat shtetërore, sepse s’ka asgjë që mund të lidhet ngase s’ka ndodhë asgjë. Por nëse hapen arkivat e Serbisë dhe duhet të hapen ato, ose kurdo që hapen arkivat serbe, sigurisht se do të dokumentohen krimet e mëdha dhe do të ndihmojnë edhe bashkëluftëtarët tanë në Hagë, sepse do të shihet se kush është agresori, kush krimineli, çfarë krimesh makabre kanë bërë ata, përderisa nga ana jonë nuk ka asgjë të tillë dhe nuk ka asgjë që Kosova e fshehë, sepse lufta jonë ka qenë luftë çlirimtare dhe nuk ka diçka që ne kemi bërë e që fshihet nga opinioni, qoftë ai vendor apo edhe ai ndërkombëtar”, përfundoi Çeku për Infokus.

Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, deklaroi se “ajo që është e rëndësishme, është, se është bërë përparim në çështjen e personave të zhdukur dhe se Prishtina më në fund e ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së”, gjë ka sjellë reagime të shumta në Kosovë.

Shpërndaje në: