Agjencitë e pavarura në Kosovë “çerdhe zogjsh” për militantët partiakë

Agjencitë e pavarura në Kosovë “çerdhe zogjsh” për militantët partiakë

Sot, çdo shtet operon në një ambient dhe rrethana të ndryshueshme. Si i tillë ai duhet t’i përgjigjet transformimeve të thella që ndodhin në shoqëri. Asgjë nuk duhet të lihet në dorë të vullnetit të mirë dhe gjithçka duhet bërë në funksion të interesit publik. Është shumë specifik ndërtimi i administratës publike në vendet që kanë kaluar luftën, përfshirë këtu edhe krijimin e agjencive të pavarura.

Megjithëse shtet i ri, Republika e Kosovës në rrugën e saj të shtetndërtimit ka krijuar edhe institucionet e pavarura, të cilat janë element i demokracisë funksionale. Një pjesë e tyre janë pjesë e ekzekutivit dhe disa të tjera funksionojnë nën mbikëqyerjen e pushtetit legjislativ.

Në kuadër të disa ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë themeluar agjenci, të cilat në emër të logjikës menaxheriale janë krijuar me qëllim që në princip të ngarkohen me misionet e ministrisë. Kjo nënkupton vetvetiu dobësimin e llogaridhënies së Qeverisë ndaj Parlamentit, poashtu dobëson apo zvogëlon përgjegjësinë e ministrive, procesin e politikave publike e bënë më teknokratik, por mund edhe të krijoj jokonsistenca në zbatimin e politikave, megjithëse qëllimi i themelimit të agjencive të pavarura është ndarja e politikëbërjes nga zbatimi dhe decentralizimi i qeverisjes.

Edhe pse ekzistimi i agjencive dhe institucioneve të pavarura është i domosdoshëm, ato së pari duhet të plotësojnë kriterin e kualitetit, mirëpo në të shumtën e rasteve kjo nuk ndodh. Në Republikën e Kosovës numërohen mbi 40 agjenci të pavarura, të cilat edhe pse e kanë emërtimin e tillë, prapë sfidë kryesore mbetet trajtimi i tyre nga institucionet vendimmarrëse, sepse këto agjenci e kanë të vështirë zhvillimin dhe përfundimin e aktiviteteve të tyre për shkak të ndikimit politik. Udhëheqësit e këtyre agjencive më shumë u shërbejnë partive politike, se sa politikëbërjes.

Edhe pse përgjegjësia e agjencive të pavarura është ushtrimi i autoritetit të pavarur, me qëllim rregullues ose mbikëqyrës, ato shfrytëzohen për rehabilitimin e klientelizmit të partive politike, duke u shndërruar kështu në agjenci të varura nga partitë politike, me ç’rast krijohet një joprofesionalizëm në punë, papërgjegjësi dhe në fund defunksionalizohet veprimtaria e tërësishme e këtyre agjencive.

Duke bërë emërime në baza partiake, të nepotizmit dhe klientelizmit partiak, është krijuar një sasi, por jo cilësi e cila i duhet secilit shtet, sidomos Kosovës. Sikurse dallëndyshet që ngrehin foletë, ashtu edhe partitë politike i  kanë bërë agjencitë e (pa)varura “çerdhe zogjsh” për familjarët dhe militantët partiakë, gjë që ka ndikuar në performancë jo të mirë, papërgjegjësi, mundësi të mëdha për korrupsion, harxhim të buxhetit shtetëror për shpenzimet e nevojshme për funksionimin e secilës agjenci, poashtu për pagat e numrit të madh të të punësuarve në numrin e madh të agjencive ekzistuese.

Duke analizuar numrin ekzistues të agjencive të pavarura, funksionimin e tyre, rezultatet që japin, pothuajse secilit qytetar kosovar i krijohet dilema për nevojën e numrit të madh të këtyre agjencive, cilësisë së punës  dhe rezultateve që japin ato. Krijimi i tyre faktikisht vetëm sa e ka rënduar buxhetin shtetëror, duke e varfëruar edhe më shumë qytetarin dhe duke i pasuruar xhepat dhe kontot bankare të zyrtarëve publik në Republikën e Kosovës.

Me gjithë mundin dhe sakrificën e bërjes shtet, ndërtimit të institucioneve dhe demokracisë së shtetit modern, sindromat si nepotizmi, klientelizmi, korrupcioni, mundësia e mbajtjes së monopolit dhe realizimit të krimit ekonomik,  po e rrënojnë një qelizë shtetërore, duke futur në bërthamën e shtetit një të keqe, ndikimin politik, që nuk i duhet as shtetit, as qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Administrata publike me binarët e shumtë që ka, duhet të riparohet dhe të shndërrohet në administratë mbi vlerat e profesionalizmit, efikasitetit dhe paanësisë, për të garantuar administratë publike sipas traditave të shquara perëndimore, administratë jashtë ndikimeve të politikës. Prandaj, pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe krijimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mandatin e saj, përveç tjerash, kjo Qeveri do të ketë para vetes edhe një “lundrim” jo të lehtë në  “ujërat e trazuara” të numrit të madh të  agjencive të (pa)varura.

Shpërndaje në: