Ajo çka ka ndodhur në Venezuelë është puç. E gjithë bota në rrezik

Ajo çka ka ndodhur në Venezuelë është puç. E gjithë bota në rrezik

Fotografia më poshtë paraqet Juan Guaidon duke u betuar si president ‘i përkohshëm’ i Venezuelës. Dora e tij e djathtë është ngritur drejt qiellit, siç edhe duhet për dikënd që, nuk ka mandat nga populli, dhe e proklamon veten në emër të zotit si mbretërit e dikurshëm. Vetëm se kjo nuk është mbretëri, por një republikë revolucionare e lindur nga lufta e popullit. E ka mbrojtur të drejtën e saj për vetë-vendosje nga mjetet e njerëzve me pushtet dhe nga lufta persistente anti-kolonialiste.

Në shekullin 19 kjo luftë ishte udhëhequr nga Simon Bolivari, “çlirimtari”. Duke u rebeluar ndaj ligjeve të asaj kohe, Bolivari qëndroi kundër perandorisë spanjolle në aleancë me Haitin e lirë. Bolivari krijonte vazhdimisht armiq skllavopronarë në të saporformuarën ShBA dhe në pjesën tjetër të dy kontinenteve amerikane duke përqafuar të drejtat univerzale dhe duke bërë thirrje për lumturi pa hipokrizi. Ai premtim u realizua veç pjesërisht.

Në fillim të shekullit 21, Hugo Chavezi invokoi premtimin e Bolivarit dhe kur të varfërit, të zinjtë dhe amerikoindianët e kthyen atë në pushtet, vazhdimisht e vazhdimisht, veçanërisht pas puçit të dështuar që u mbështet nga ShBA-të më 2002, ai po ashtu e radikalizoi qëndrimin e tij kundër perandorisë së shenjtë për të cilën Bolivari veç kishte spekuluar, Amerikës. Sërish, premtimi ishte realizuar veç pjesërisht. Disa mund të thonë që revolucioni ka tradhtuar idealet nga regjimi i pasuesit të tij, Nicolas Maduros. Askush s’mund t’i mohojë problemet e Venezuelës. Origjina e magjisë së saj në vitet 1970, gazi, ka qenë në rënie. Chavezi nuk e fitoi pavarësinë e vendit të tij nga gazi dhe gjeopolitika e saj.

Kriza u rrit kur çmimet globale të gazit ranë, prodhimi stagnoi, vlera e monedhës ra, dhe nën Maduron, varësia nga importet dhe monopolet nënkuptonte shkurtime që do të lëndonin shumë njerëz. Ajo përgjegjësi qëndron te qeveria dhe te opozita e djathtë industrialiste. Por të mendosh se kjo opozitë, e rigjallëruar nga spektakli vetëproklamues i Juan Guaidos, vepron nga shqetësimi i sinqertë për të varfërit, të zinjtë dhe amerikanoindianët që e forcuan veten gjatë viteve të revolucionit bolviarian, do të ishte një budallallëk.

Këtu hyn Donald Trump: megalomaniak, i paqëndrueshëm, gënjeshtar. Duke e vazhduar intervencionizmin e administratave të kaluara amerikane, që e kanë ndarë urrejtjen e tyre për Chavezin në përpjekjen për të fituar ndikim në atë rajon, Trumpi premtoi t’i jepte fund këtyre manovrave. Por të mërkurën, zëvendëspresidenti Mike Pence përshëndeti vetë-emërimin si president të Guaidos, duke nënkuptuar se edhe pse Trumpit nuk i pëlqente të intervenonte në vende të tjera, ai “gjithnjë ka pasur mendim shumë të ndryshëm për hemisferën tonë”. Ky është një invokim eksplicit i doktrinës Monroe nën të cilën ShBA-të e kanë mbajtur veten si përgjegjëse për të ndërhyrë në të dy kontinentet amerikane, të cilat i sheh si kopshtin e saj.

Trumpi e njohu Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës, dhe u ndoq në këtë veprim nga shumë presidentë të vendeve amerikolatine, të gjithë të bardhë, të gjithë të klasës së pasur, si Jair Bolsonaro i Brazilit, Mauricio Macri i Argjentinës, Ivan Duque i Kolumbisë dhe Sebastian Pinera i Kilit. Ata do ta proklamojnë veten si shpëtimtarë të demokracisë dhe humanitarizmit, gënjeshtarët. Duke e paraqitur veten në rrobat e çlirimtarëve, ashtu siç Guaido e ka paraqitur veten në imazhin e Chavezit dhe Bolivarit ndërsa mbante një kushtetutë me imazhin e të fundit në ballinë, ata me kënaqësi do t’i mbështesin sansionet e ShBA-ve, forcave paramilitare që trajnojnë opozitën e Venezuelës në taktika torturuese që zhvendosën 7 milionë njerëz në Kolumbi, ose përdorimin e sistemit legal në institucionet pan-amerikane siç ndodhi ndaj Luiz Ignacio Lula da Silvas dhe Dilma Roussefit në Brazil, Manuel Zelayas në Honduras dhe Fernando Lugos në Paraguaj.

Vetëm se këto masa duhet të kenë çmim të kufizuar. Washingtoni e di këtë gjë. Atëherë, Trumpi dhe të tjerët do të jenë të gatshëm për një përpjekje më muskuloze. Jo rastësisht, kjo do t’i shkonte në favor Trumpit derisa zgjedhjet afrojnë ose derisa është i shqetësuar nga hetimet dhe një proces i mundshëm gjyqësor. Lufta shpërqendron dhe krijon para. Vetëm se kjo nuk do të kufizohet veç brenda rajonit: Kina dhe Rusia, të dyja me interesa kyqe në Venezuelë dhe tjetërkund në rajon, e kanë ndjekur Bolivinë, Meksikën, Uruguajin dhe Kubën duke e quajtur veprimin e Guaidos me emrin e vërtetë: një puç. Rusia ka nënkuptuar se do t’i vinte në mbrojtje aleatit të saj. Në Venezuelë, shumë që mund të jenë kritikë të Maduros por që i frikësohen rikthimit të opozitës së djathtë në pushtet është e pamundshme t’i gëzohen të sapokonvertuarit si humanitarë. Për dallim nga mbështetësit e Salvador Allendes së Kilit më 1973, ata janë të armatosur. Washingtoni pret për zhvillime të tjera në terren ndërsa mban “të gjitha opsionet në tavolinë”. Kjo është e folur e dyfishtë për shpresën që përgjigjja dorë-rëndë nga qeveria e Maduros do të ofronte justifikim moral për një intervenim që me siguri do të aprovohej nga Organizata e Shteteve amerikane.

Ka shumë gjëra për ta kritikuar Maduron: hapa të vonuar apo të shtrembër ekonomikë, korrupsion dhe pushtet-mbledhje. Por këto kritika nuk mund të justifikojnë një puç apo një intervenim që, nëse dhe kur të vjen, do të na dërrmojë të gjithëve. Trumpi llogarit në Ivan Duquen e Kolumbisë, të emëruarin Alvaro Uribe, dhe në neofashistët brazilianë që ta mbështesin atë, duke dërguar trupa nëse është nevoja. Një neofashist po udhëheq me një prej shteteve më të mëdha amerikane, Brazilin, një tjetër narcistik gënjeshtar udhëheq me tjetrin. Ky kombinim është helmues. Lufta në emër të humanes mund t’i tundojë ata, siç ka bërë edhe me liderë të tjerë liberalë në të kaluarën. Por kësaj here rreziqet janë më të mëdha. Puçi i Venezuelës është kërcënim për gjithë botën.

Përktheu nga The Guardian, Periskopi.

Shpërndaje në: