Aktakuzë ndaj një personi të pandehur për pesë vepra të ndryshme penale

Aktakuzë ndaj një personi të pandehur për pesë vepra të ndryshme penale

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.B., nga komuna e Prishtinës, për disa vepra penale të rënda që lidhen me keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe deklarime të rreme.

Sipas aktakuzës, N.B., në cilësinë e drejtorit dhe agjentit të autorizuar të kompanisë “Tehno Invest” SH.P.K., në bashkëpunim me persona të tjerë, për më shumë se një dekadë dyshohet se ka përfituar pasuri të paligjshme përmes veprimeve të koordinuara kundërligjore, duke i shkaktuar dëm të madh material kompanisë “Tehnopolis” dhe aksionarit të saj, B.K.

Prokuroria e ngarkon N.B. me veprat penale: Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, mashtrim në vazhdimësi, legalizimi i përmbajtjes së rreme, blerja dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale, dhe deklarime të rreme.

Veprimet e dyshuara përfshijnë shitjen dhe tjetërsimin e pronave të paluajtshme pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, përdorimin e dokumenteve të falsifikuara në zyrat noteriale, mashtrimin e investitorëve dhe institucioneve shtetërore, si dhe keqpërdorimin e autorizimeve të dhëna për administrimin e tokave të privatizuara.

Aktakuza përfshin ngjarje të ndodhura ndër vite, nga viti 2012 deri në vitin 2024 – kryesisht në qytetin e Shtimes, përfshirë zyrat noteriale në rrugën “Tahir Sinani”.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga Gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Shpërndaje në: