Aktakuzë për korrupsion ndaj dy drejtorëve dhe një zyrtari të Komunës së Novobërdës

Aktakuzë për korrupsion ndaj dy drejtorëve dhe një zyrtari të Komunës së Novobërdës

Prokuroria Themelore ne Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.V, zyrtar në Komunën e Novobërdës si dhe A.A dhe N.D, drejtorë për Zhvillim Ekonomik në këtë komunë, duke i ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate nga kjo prokurori, ku thuhet se S.V ngarkohet se pranoi pagë mujore pa u paraqitur në vendin e punës/

“I pandehuri S.V., në cilësi të zyrtarit të Komunës së Novobërdës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos u paraqitur në vendin e tij të punës dhe ka pranuar pagën mujore prej 427€, nga buxheti i Komunës së Novobërdës, nga muaji prill 2019 deri në dhjetor te vitit 2020, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar për vete shumën prej 14.116.94€ dhe ka dëmtuar buxhetin komunal në shumën e lartcekur”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se A.A dhe N.D, kanë keqpërdorur detyrën duke mos e larguar nga lista e pagave zyrtarin S.V.

“Ndërsa të pandehurit A.A dhe N.D, në cilësinë e drejtorëve për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Novobërdës, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, për t’i shkaktuar përfitim pasuror të kundërligjshëm zyrtarit komunal – të pandehurit S.V, dhe përkundër që i njëjti nuk është lajmëruar në punë, nuk e kanë larguar nga lista e pagave dhe me këtë kanë kryer veprën penale “ Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim. /Periskopi/

Shpërndaje në: