Akti tjetër në dramën Brexit

Akti tjetër në dramën Brexit

Dorëheqja e Amber Ruddit ishte goditja e fortë e fundjavës. Madje, ishte për t’u habitur sesi duronte ministrja e Punës nga krahu i moderuar i konservatorëve në kabinetin ministror të Boris Johnsonit. Tani ajo u dorëhoq duke thënë se nuk mund të shohë më si “përjashtohen konservatorë të mirë, besnikë dhe të moderuar.” Veprimet e kryeministrit ajo i quajti një “akt të vandalizmit politik”.

Të hënën Boris Johnson takohet në Dublin me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar. Takimi në rezidencën qeveritare synon të jetë një takim i krijimit të besimit. Por, irlandezët janë të zemëruar me britanikët, sepse Johnsoni la kohë për këtë vizitë. Për besim nuk mund të flitet, sepse Johnsoni nuk ka bërë të ditura detaje për një zgjidhje alternative për mbajtjen hapur të kufirit mes Irlandës dhe Irlandës Veriore. Ai kërkon të heqë Backstop-in me çdo kusht nga marrëveshja.

Deri më tani, në bisedimet në Bruksel është folur vetëm për urdhëresat që do të rregullojnë transportin e lirë të produkteve bujqësore. Sipas të dhënave të BE-së, nuk zgjidhet me to problemi i kufirit. Ende të pakonfirmuara janë zërat nëse qeveria britanike do të kthehet në një variant të dikurshëm, pra ta lë vetëm Irlandën Veriore në unionin doganor dhe në pjesë të tregut të brendshëm. BE e kishte propozuar këtë, por më vonë me dëshirën e britanikëve erdhi zgjidhja e Backstop-it. Por, këtë ide Boris Johnson mund ta realizojë vetëm me mbështetjen e partisë irlandezoveriore, DUP. Se si do të jetë kjo mbështetje, kjo dihet pas zgjedhjeve.

Boris Johnson do të kërkojë sërish zgjedhje të reja në Dhomën e Ulët. Për këtë atij i duhet sërish një mazhorancë me dy të tretat. Por, opozita është betuar se nuk do t’ia japë këtë kënaqësi Johnsonit. Laburistët, liberalët, partia skoceze, SNP dhe deputetë të pavarur do të thonë Jo derisa ta kenë të sigurt një shtyrje të Brexit-it në tetor. Ata nuk i besojnë kryeministrit. Për këtë tani ata kanë edhe një arsye më shumë, pasi ministri i Financave, Sajid Javid, në një program të BBC-së të dielën u shpreh se kryeministri nuk do të kërkojë në asnjë mënyrë shtyrjen e afatit. Por, tek pyetja nëse ai do ta injorojë ligjin, nuk pati një përgjigje të qartë. Dominic Raab u shpreh se do të shikohen të gjitha mundësitë ligjore për të shmangur shtyrjen e Brexit-it.

Që një kryeministër më vullnet të qartë e shkel një ligj, kjo nuk ka ndodhur në historinë e re britanike. Ka zëra se Downing Street pret që grindja ligjore mes Parlamentit ose prokurorit të përgjithshëm e çuar në Gjykatën e Lartë të zgjasë aq shumë saqë Britania e Madhe automatikisht më 31 tetor të dalë nga BE. Por, ky plan do ta fuste Britaninë e Madhe në një krizë të rëndë institucionale. Do të ishte “përplasja më e madhe që nga viti 1688 kur u themelua qeveria parlamentare”, shkruan Times.

Vetë Johnsoni u shpreh të enjten e kaluar se më mirë do “futej në varr”, se të kërkonte një zgjatje të re të Brexit-it. Por, ai nuk ka dhënë deri më tani asnjë sinjal se çfarë do të bëjë në vend të kësaj.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha në fundjavë se mungon progresi në bisedimet në Bruksel: “Kjo është shqetësuese. Britanikët duhet të na e thonë se çfarë dëshirojnë”. Sipas tij, “nuk do ta shtyjmë afatin çdo tre muaj”. Për negociuesit në Bruksel bisedimet janë një farsë. I ngarkuari britanik, David Frost, nuk ka bërë propozime konkrete. BE është po ashtu e alarmuar, sepse ai duket se nuk do t’i marrë seriozisht detyrimet që dalin nga deklarata politike, të cilat do të garantojnë pas Brexitit kushte ta barabarta konkurrence. Në rast të kundërt do të ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje e tregtisë së lirë.

Që me zgjatjen e dytë të afatit të Brexit-it, presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, paralajmëroi britanikët, që të shfrytëzojnë kohën, të mos e “shpërdorojnë” atë. Ky paralajmërim nuk u dëgjua. Qeveria franceze ishte skeptike që në fillim me zgjatjen e Brexit-it. Nuk pritet që Parisi të thotë vërtet “jo” në një shtyrje të mundshme të afatit, nëse nga Londra vijnë argumente të forta. Këto mund të jenë një referendum i dytë, e ndoshta edhe zgjedhjet e reja. Por, qëllimi nuk është të jepet më shumë kohë, për më shumë kaos politik në Britaninë e Madhe.

Çfarë i mbetet të bëjë Boris Johnson? Ai mund të kërkojë një votë mosbesimi, por këtë e kanë refuzuar këshilltarët e tij dhe kryeministri vetë kërkon të mbetet në qeveri. Megjithatë, një plan B nga Downing Street e parashikon edhe dorëheqjen e kryeministrit. Me këtë do të hapej rruga për një qeveri të përkohshme me një person të besuar nga opozita, që do ta kërkonte shtyrjen e Brexit-it në vend të tij.

Më së miri, Boris Johnson do të donte të futej në një fushatë zgjedhore e me të gjitha armët e populizmit. Tema bazë: Populli ngrihet për shkak të Brexit-it kundër Parlamentit. Zgjedhjet do të ishin pas kësaj në tetor, nëse do të ishte bërë një shtyrje e mundshme e Brexitit.

Mundësia tjetër do të ishte që Johnson vërtet t’i hynte një beteje ligjore dhe ta injoronte ligjin kundër “No deal Brexit”. Pasojat e këtij hapi nuk do të ishin të parashikueshme. Juristë të lartë kanë paralajmëruar madje se Boris Johnson mund të përfundonte edhe në burg.

E, në fund, Boris Johnson mund ta kthente timonin e të kërkonte seriozisht një “deal” me BE. Por, koha për këtë është shumë e shkurtër. Deri në datën e Brexit kanë mbetur vetëm 52 ditë.

Shpërndaje në:
TË NGJASHME
Blinken drejt Europës në kërkim të unitetit për luftërat në Ukrainë dhe Gazë

Sekretari i Shtetit Antony Blinken planifikon të udhëtojë për në Francë dhe Belgjikë javën e…

Kuvendi do të mbajë tri seanca gjatë javës së ardhshme

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca u mbajt sot mbledhja e radhës e Kryesisë së…

Përfundon intervisitmi i Martin Berishajt, reagon avokati i tij, Tomë Gashi

Tomë Gashi, avokati i ambasadorit Martin Berishaj, ka njoftuar se klienti i tij e ka…

Historike: Arabia Saudite, vendi i Mekës e Medinës, për herë te parë pjesëmarrëse në Miss World 2024

Arabia Saudite do të marrë pjesë në Miss Universe 2024 për herë të parë në…

Anis Mehmeti vendimtar, shënon supergol në fitoren ndaj Leicester Cityt

Sulmuesi anësor i Kombëtares së Shqipërisë, Anis Mehmeti ka qenë vendimtar në fitoren e ekipit…

Po zbatohet marrëveshja e Ohrit me votimin pro të Kosovës në Paris

Analisti Ilir Deda nga Instituti i Shkencave Sociale në Vjenë në një intervistë për N1…

Ulutash takohet me ministrin italian të Mbrojtjes, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash, sot është takuar me ministrin e…