Aktivistja Ahmetaj: Në vend që të përpiqen për pajtim, politikanët në Kosovë dhe Serbi po nxisin luftë

Aktivistja Ahmetaj: Në vend që të përpiqen për pajtim, politikanët në Kosovë dhe Serbi po nxisin luftë

“Politikat aktuale në Prishtinë dhe Beograd po i largojnë serbët dhe shqiptarët nga pajtimi në krahasim me 10 vjet më parë”, mendon aktivistja e të drejtave të njeriut Nora Ahmetaj. Ajo i tha “Slobodno Srpski” se pa politikanë nuk mund të ketë pajtim të vërtetë mes dy popujve.

“Sepse ata kanë legjitimitet dhe kanë pushtet, sepse në një nivel individual dhe shoqëror tashmë po ndodh ai pajtim – njerëzit po komunikojnë, biznesmenët tashmë po komunikojnë, komunikimi i tyre është i madh. Por të gjithë varen nga ai nivel politik, politikanët kanë 23 vjet që nxisin luftë, e lëre më të pajtohen”, tha ajo.

Ahmetaj tha se Serbia duhet ta bëjë hapin e parë serioz drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pajtimit.

“Meqenëse Serbia kishte fuqinë më të madhe, ushtarake, sociale, politike, tensioni duhet të ulet pak, liderët politikë duhet të kenë një qasje të ndryshme, më pajtuese në negociata. Megjithatë, Serbia është një vend që ka përvojë dhe është një vend që ka bërë luftëra me Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën. Hapi i parë duhet të jetë hapja e arkivave dhe gjetja e 1617 personave të zhdukur. E dimë që jo të gjithë do të gjenden, por ky numër është ende i madh”, tha ajo.

Ahmetaj beson se hapi i dytë drejt normalizimit të marrëdhënieve do të ishte që politikanët serbë dhe shqiptarë në Bruksel, por edhe gjetkë, të flisnin më shumë për të kaluarën dhe kush çfarë bëri. Megjithatë, sipas saj, është dekurajuese që përfaqësuesit aktualë të shteteve nuk mund të bien dakord as për disa gjëra shumë më të lehta.

“Ata rreth tavolinave nuk mund të bien dakord dhe ta bëjnë një problem edhe më të madh, e lëre më të flasin për të kaluarën”, tha ajo,përcjell Gazeta Express.

Ahmetaj e quajti të rrezikshme retorikën negative, përfshirë gjuhën e urrejtjes në diskursin publik..

Sipas saj, është e papranueshme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ta quajë presidentin serb Aleksandar Vuçiq “Putin i vogël” dhe njerëzit e Vuçiqit ta quajnë Kurtin “Hitler i vogël”.

“Ajo retorikë është kthyer, sidomos tani në pranverë, ma kujton atë nxitje për luftë. Ne e dimë si profesionalisht ashtu edhe praktikisht se gjuha e urrejtjes thjesht shkakton dhunë, në disa vende shkakton gjenocid si Ruanda, shkakton terrorizëm. Kam pritur shumë që kryeministri ynë të jetë më i kujdesshëm në këtë kuptim, sepse është shumë i arsimuar dhe me përvojë, të mos e përdorë atë retorikë… Thjesht kam frikë se mund të provokojë lehtësisht dhunë, siç ka ndodhur në disa vende të tjera”, thotë ajo.

Ahmetaj, e cila ishte anëtare e Ekipit Përgatitor për Përgatitjen dhe Themelimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit në Kosovë, thotë se ekipi ka përfunduar një projektligj për komisionin, të krijuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ajo deklaron se me largimin e Thaçit në Hagë i ka përfunduar mandati Ekipit Përgatitor.

Shpërndaje në: