Aktivizohen Historianët e Deçanit: Lajçak le të tregojë a e njeh shtetin e Kosovës

Aktivizohen Historianët e Deçanit: Lajçak le të tregojë a e njeh shtetin e Kosovës

Kryetari i Lidhjes së Historianëve e të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, Shkodran Imeraj, ka reaguar ndaj deklarimeve të emisarit së BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, duke thënë se Kosova nuk duhet të pranojë vazhdimin e këtij procesi me Serbinë, nëse kjo e fundi nuk kërkon falje për krimet ndaj shqiptarëve.

Në një letër dërguar Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Kosovës, Imeraj thotë se deklarata e Lajçak ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, duke u deklaruar në lidhje me vendosjen e masave të reja ndaj Serbisë.

“Lajçak, para se t’i kritikojë institucionet e Kosovës në lidhje me vendimet karshi shteti serb, është mirë që të deklarohet se a e pranon apo jo pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dihet se ai ka qenë një kundërshtar i madh i pavarësisë së Kosovës dhe vjen nga një vend që se njeh shtetin tone. Ai nëse nuk e pranon realitetin e ri në Kosovë, nuk mund të përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Kreu i historianëve të Deçanit kërkon nga liderët e Kosovës që të refuzojnë vazhdimin e dialogut me përfaqësuesit serb, pa kushte, duke kërkuar që Serbia të kërkojë falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve gjatë periudhës 1912-1999, dhënien e informatave për shqiptarët e zhdukur gjatë 1945-1999, heqjen e gjitha pengesave nga shteti serb që ndërlidhen me emrin kushtetuese të Kosovës, si dhe të marrë përsipër shlyerjen e dëmeve të luftës që ka shkaktuar më 1998-1999, si dhe kthimin e artefaktet kulturore të cilat pala serbe i ka vjedhur më 1999.

“Ka ardhur koha që vendi ynë të dëshmohet se është shtet, dhe se në raport me shtetin fqinj serb të tregohet i matur dhe i vendosur, duke iu përgjigjur çdo provokimi dhe pengese që vendos Serbia karshi Kosovës. Pengesave që vendos Serbia, duhet t’iu kundërvihet me pengesa shteti i Kosovës”, përfundon komunikata.

Shpërndaje në: