Aktorja franceze: Nuk jam arsyeja e ndarjes së Brangelinas

Aktorja franceze: Nuk jam arsyeja e ndarjes së Brangelinas

Aktorja e njohur Franceze e shpërblyer me Oscar, Marion Cotillard, e ka publikuar një deklaratë në rrjetin social Instagram, përmes së cilës ka reaguar ndaj lajmit që ka shpërthyer në mbarë botën, se gjoja ajo është arsyeja prapa ndarjes së çiftit më të dashur të Hollywoodit, Brad Pitt dhe Angelina Jolie.

40 vjeçarja Cotillard, e ka mohuar kategorikisht lajmin se ajo ka pasur aferë me Brad Pitt-in, gjë që ka bërë që Angelina të bëjë kërkesë për shkurorëzim nga aktori pas dy vitesh martesë, transmeton emisioni Express në KTV.

Pitt dhe Cotillard, luajnë së bashku në filmin i cili pritet të lansohet së shpejti, “Allied”. Ajo përmes një postimi në Instagram ka komentuar për aferën që po spekulohet ndërmjet saj dhe Pitt.

“Ky do të jetë reagimi im i parë dhe i vetëm rreth lajmit banal që ka shpërthyer brenda këtyre 24 orëve, dhe ku pa dashur jam përfshirë edhe unë. Nuk e kam shprehi të komentoj për gjëra të këtilla e as t’i marr seriozisht thashethemet e pakuptimta, por duke qenë se ky lajm po i prek njerëzit e mi të dashur, atëherë po më duhet të reagoj. Fillimisht, para shumë vitesh, unë e kam takuar mashkullin e jetës sime, babanë e djalit tim dhe foshnjës që po e presim së bashku. Ai është burri që e dashuroj dhe miku im më i mirë. E dyta, për të gjithë ata që kanë deklaruar se po ndihem e dëshpëruar, u them se jam shumë mirë dhe i falënderoj për merakun. Kjo thashetheme që është përhapur për mua nuk më streson fare, andaj të gjitha mediave që po merren me këtë lajm të pavërtetë, u them këtë “shpresoj se do të arrini ta merrni veten”. Dhe në fund, me gjithë zemër uroj që, Angelina dhe Brad, të cilët i respektoj pa masë, të gjejnë paqe në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalojnë. Me shumë dashuri, Marion”, ka shkruar ajo.

Emri i aktores Cotillard është përmendur në disa media botërore si shkaktare e problemeve mes çiftit Pitt dhe Jolie, të cilët kanë adhurues të shumtë anembanë globit, për faktin se janë ndër personat më të bukur të Hollywoodit, kanë shumë projekte të suksesshme pas vetes dhe janë aktivistë të rregullt të çështjeve humanitare.

41 -vjeçarja Jolie dhe 52 -vjeçari Pitt, u martuan në vitin 2014, pas një dekade lidhjeje, dhe së bashku i kanë gjashtë fëmijë.

Gjatë gjithë këtyre vjetëve sa kanë qenë çift, Brad dhe Angelina janë komentuar shumë në media, kryesisht për faktin se Jolie ka qenë arsyeja pse Pitt e ka prishur martesën me aktoren Jennifer Aniston.

 

Shpërndaje në: