Alban Hyseni tri herë anuloi konkursin, se nuk i gjeti shokët në listë

Alban Hyseni tri herë anuloi konkursin, se nuk i gjeti shokët në listë

Tri herë me radhë, Komuna e Gjilanit shpalli konkurs për dy stomatologë, pesë asistentë të stomatologjisë dhe një teknik të dhëmbëve për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi”.

Konkursi u anulua dy herë me radhë nga kryetari Alban Hyseni. E në herën e tretë, listat e testit me shkrim po i kryesojnë shokë të kryetarit, familjarë të drejtorëve komunalë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

E gjithë drama nisi më 23 mars të 2023-ës, kur Komuna e Gjilanit e hapi konkursin e parë për dy stomatologë, pesë asistentë të Stomatologjisë dhe një teknik të dhëmbëve.

Më 29 qershor, Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, mori vendim për anulim të konkursit në tërësi, me arsyetimin se ka pasur shumë ankesa me shkrim dhe me gojë. Prandaj, më 15 shtator, Drejtoria e Shëndetësisë hapi sërish konkursin për këtë pozita.

Por, konkursi u kthye në pikën zero për herë të dytë, kur një ditë para intervistës, më 18 dhjetor, kryetari Hyseni mori vendim për të anuluar edhe këtë konkurs. Pas dy dështimeve, konkursi u hap për herë të tretë më 26 dhjetor të 2023-ës.

Rezultatet e testit me shkrim i cili u mbajt më 9 shkurt të 2024-ës, u publikuan një javë më parë, më 22 shkurt. Kësaj radhe, i pari në listë për pozitën mjek stomatolog doli aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Donik Behluli.

Ndërsa Drenusha Abdyli e cila ishte e para në listë në konkursin paraprak, në këtë të fundit rendit e teta me radhë. Në mesin e aktivistëve që pati sukses në konkursin e fundit ishte edhe shoku i kryetarit Hyseni, Elion Gagica.

Gagica i cili e shoqëroi Hysenin gjatë fushatës në Gjilan, e edhe në pushime në Turqi, doli i pari në konkursin për teknik të dhëmbëve.

Kaq fatlum sa Gagica në këtë konkurs ishte edhe Imrane Neziri, bashkëshortja e aktivistit të Vetëvendosjes, Yll Rashiti.

 

Shpërndaje në: