Albin Kurti dhe çlirimi i Kosovës nga kriminelët

Ismail Syla Op-Ed

Shkruan: Ismail Syla

1.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e zgjodhi pasdarken e Brukselit të 19 majit 2021 për të përçuar një mesazh gjoja mjegullor në sipërfaqe dhe shumë të qartë në adresim. I gjendur në një pozicion prej të lazdruari midis kohës kur konopi i fillimit të dialogut me Serbinë po mblidhet dita ditës dhe luajtja e rolit se ai dialog fillon jo kur të dojë Brukseli e jo kur të dojë Serbia, por atëherë kur të dojë Albini, kryeministri i Kosovës po hiqet i forti i këtij trekëndëshi. Me një fjalor të fryrë tautologjik dhe demagogjik nga Brukseli lansoi gjetje tipologjike për dy natyra kriminelësh: të luftës dhe të paqes. Kjo tipologji nuk mund të kamuflohet me nënkuptim as universal as ballkanik, por është një goditje aspak e sofistikuar ndaj lidershipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
2.
Është fatkeqësi e madhe kur armiqësia ndaj lidershipit të UÇK-së pa pikë hezitimi, ngurrimi dhe turpi vjen nga liderët politikë shqiptarë. Është e kuptueshme që kundër lidershipit të UÇK-së të jetë Serbia, sepse guximi, vizionariteti dhe përkushtimi jetësor i liderëve të UÇK-së ka bërë që sundimi serb i Beogradit të goditet në dy pikat kyçe të saj: mbi ushtrinë dhe policinë serbe serbe. Këtë goditje, gjegjësisht çlirimin dhe humbjen e Kosovës Beogradi zyrtar kurrë nuk ua falë atyre që e kurorëzuan përpjekjen shekullore të shqiptarëve të Kosovës. U pa që edhe pas 20 vjetësh nga çlirimi i Kosovës, por as pas 200 e 2000 mijë vjetësh Serbia nuk ua falë kokat atyre që ia nxorën nga dora Kosovën më 12 qershor 1999.
3.
Është fatkeqësi e madhe që shteti i Kosovës ka pësuar rrëshqitjen e madhe antihistorike. Deri para dy vjetësh Kosova kishte në krye të institucioneve liderë të dalë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së paku një institucion ishte kryekreje i drejtuar nga figura të dala prej UÇK-së. Ishte doktori i luftës çlirimtare, Bajram Rexhepi kryeministër i qeverisë konsensuale të viteve 2001 – 2004. Ishin Ramush Haradinaj dhe Agim Çeku kryeministra në periudhën 2004 – 2007. I dalë si lider politik i fuqishëm nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës Hashim Thaçi ishte kryeministër i cili drejtoi qeverinë e Kosovës, qeverinë e shpalljes së pavarësisë dhe modernizimit infrastrukturor prej viti 2008 deri më 2015. Në një periudhë të tri institucionet qendrore, Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi i Kosovës drejtoheshin nga liderë të UÇK-së: nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.
4.
Sot institucionet kryesore të Kosovës janë të spastruara dhe të sterilizuara, pra pa asnjë lider a personalitet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot institucionet e Kosovës drejtohen nga figura pa asnjë histori dhe pa asnjë trashëgimi esenciale në raport me betejat e gjata dhe përpjekjet për lirinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës së çliruar, që prapa vetes kishte një histori të rezistencës paqësore të suksesshme. HashIm Thaçi, kryeministri më me jetëgjatësi qeverisjeje në qeveritë e Kosovës deri më tani, President i Kosovës për rreth pesë vjet, ka histori tejet të përmbushur si lider i gueriles më të suksesshme të shekullit njëzet, e vlerësuar nga historianë ushtarakë botërorë. Hashim Thaçi ishte lider politik i UÇK-së dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare në Ramboullet-it. Jakup Krasniqi, zëdhënësi i parë i UÇK-së, veprimtar mbi dyzet vjeçar i çështjes kombëtare, ishte me të drejtë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kadri Veseli, po ashtu kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte njëri nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të UÇK-së, suksesi i së cilës nuk mund të paramendohet pa punën, talentin dhe zotësinë e tij.
5.
Cila është trashëgimia politike e liderëve aktualë të institucioneve kryesore të vendit? Unë nuk mbaj mend ndonjë gjë. Karrierë e ndërtuar duke përgojuar një institucion të UÇK-së me shkurtesën SHIK. Rrokullisja e Toyota-ve të UNMIK-ut, gazi lotsjellës në Kuvend, gjuatja me vezë, përçmimi i flamurit të Kosovës, mos ngritja në këmbë kur intonohej himni i flamurit të Kosovës. Asnjë projekt i madh nacional nuk lidhet me emrin e Albin Kurtit. Edhe demonstrata e 1 Tetorit 1997 shpërfaqi dy emra tjerë, Bujar Dugollin nga radha e studentëve dhe Ejup Statovcin, nga radha e Universitetit. Sa për trashëgiminë dhe biografinë politike të Vjosës dhe Glaukut do të vlente ajo formula folklorike nekrologjike më e shkurtra në botë për njeriun që gjithçka bëri në jetë ishte “hangër fiq e diq”.
6.
Sipas deklaratës së kryeministrit të Kosovës në pasdarken e Brukselit Kosova është në rrugë të mirë të kryerjes së obligimeve, që pëlqehen edhe nga demokracia evropiane. Kriminelet e luftës në Kosovë nuk janë strukturat ushtarake e policore serbe, por Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ai foli edhe për praninë e kriminelëve edhe në partitë politike. I bie që PDK-ja është “çliruar” nga kriminelët politikë meqë ish lideri i saj Hashim Thaçi, dhe ish kryetari i saj Kadri Veseli, janë të burgosur tashmë. Për “kriminelët” e partive tjera shqiptare të Kosovës, do të kursehem në përmendje emrash. Shpresoj se ndoshta nënkuptohen.

Shpërndaje në: