Albin Kurti premton ‘shkapjen’ e shtetit për ta gjunjëzuar atë

Mero Baze Op-Ed

Nga Mero Baze

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë përjashtoi Albin Kurtin dhe 46 deputetë të tjerë, nga e drejta për të kandiduar, pas verifikimit që i bëri listave të paraqitura nga partitë politike.

Albin Kurti dhe dy kandidatë të tjerë të “Vetëvendosjes” janë përjashtuar, pasi rezultojnë të dënuar nga Gjykata në Kosovë për vepra penale që i pengojnë të kandidojnë tre vite, pas shlyerjes së dënimit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e saktëson këtë është produkt i një padie nga “Vetëvendosja”, përmes të cilës ajo akuzoi një deputet që merrte pjesë në formimin e qeverisë “Hoti” dhe që kishte qenë i dënuar si Kurti.

Gjykata rrëzoi qeverinë “Hoti”, por njëherësh ky dënim vlen dhe për Albin Kurtin dhe dy kandidatë të tjerë të “Vetëvendosjes”.

Deri këtu gjithçka është në rregull.

Ajo që është shqetësuese ka të bëjë me reagimin e Albin Kurtit pas këtij vendimi.

Në një deklaratë zyrtare të tij, ai tha se “institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijësuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”.

Kjo është ndoshta deklarata më e rëndë që ka bërë një lider politik në rrugën drejt pushtetit. Zakonisht kryeministrat që e kanë të sigurt fitoren, flasin për një shtet të drejtë, për institucione të forta, për drejtësi për të gjithë, dhe për qeverisje të ndershme.

Albin Kurti është i pari kanidat për kryeministër që duket se e ka të sigurtë shumicën, por që kërcënon institucionet e shtetit që do të jetë kryeministër, që t’i nënshtrohen atij, dhe jo ligjit.

Deklarata e tij se “institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit” është e ngjashme me çdo deklaratë dhe arsyetim të komunistëve ose fashistëve, që nga Musolini e Hitleri, deri tek Enver Hoxha dhe Tito, që shikonin si problem në marrjen e  plotë të pushtetit, institucione të tilla si Gjykatat, Parlamenti, Banka Qëndrore, apo çdo institucion tjetër që duhet të ruajë balancat në një shtet.

Albin Kurti ka shfaqur hapur vullnetin e tij që tashmë shteti atje, duhet t’i bjerë në gjunjë dhe duhet të bëjë çfarë thotë e çfarë do ai, dhe jo çfarë thotë ligji.

Për Albin Kurtin, Gjykata Kushtetuese është e mirë dhe e dobishme, vetëm kur rrëzon Qeverinë e kundërshtarit të tij, por jo dhe kur e lë këtë jashtë gare si të dënuar për kryerje të veprës penale.

Për të Parlamenti është armik dhe duhet gjunjëzuar me bomba tymuese e gaz lotësjellës, kur je në opozitë, dhe pastaj duhet t’i bjerë në këmbë Albinit dhe të mbajë rregull, kur është shumica e tij.

Për të Bankat në Kosovë, pasi të vijë ky në pushtet, duhet të japin kredi me urdhër të këtij, si në kohë të Titos, “për punëtorë e fshatarë”, dhe jo sipas ligjeve dhe logjikës financiare.

Kjo deklaratë është dëshmi se në krye të Kosovës po vjen dikush që mendon se të gjithë duhet të ulen në gjunjë para tij, dhe t’i thonë “na pri” në emër të vullnetit tënd.

E di se tani janë të gjithë euforikë për fitoren e tij dhe këto deklarata të tij, iu duken lajthitje, kurse ky shkrimi im “reaksionar”.

Por fati i keq është se zgjedhjet janë në më pak se një muaj dhe ata që presin “shkapjen e shtetit”, do përballen shumë shpejt sipas kësaj logjike të liderit, me gjunjëzimin e shtetit para pushtetit të tij. Po vjen dita…

Shpërndaje në: