Albin Kurtit këshillon BE’në dhe NATO’n: Bashkëpunoni më shumë për sigurinë e Evropës

Albin Kurtit këshillon BE’në dhe NATO’n: Bashkëpunoni më shumë për sigurinë e Evropës

Kryeministri Kurti theksoi se BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Simpoziumin Symi, të 24-in me radhë në Athinë.

Në ditën e parë të simpoziumit, kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë:  Strategjia e re për shtyrjen përpara të hyrjes në BE të Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”.

Në diskutimin e tij, kryeministri theksoi të arriturat në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe demokratikë, si rezultat i stabilitetit institucional.

Ai tha se Kosova është storie e dyfishtë suksesi. Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit, ndërsa në anën tjetër, siç u shpreh kryeministri, është storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative.

Sa i përket integrimit në Bashkimin European, kryeministri shprehu besimin që rruga më e mirë përpara është me Procesin e Berlinit, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Scholz. Ky Proces i Berlinit 2.0, siç e quajti kryeministri Kurti, do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kur them vlera europiane mendoj sundim i ligjit, të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare, ballafaqimi me të kaluarën, demokratizimi, liria e mediave, të drejtat e minoriteteve”, tha ai.

Për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, kryeministri tha se është detyrë urgjente për BE-në, dhe se beson që përveç shfaqjes së empatisë, simpatisë dhe solidaritetit ndaj popullit të Ukrainës dhe përpjekjeve të tyre për çlirim, duhet të bëjmë gjithë atë që mundemi t’ju ndihmojmë atyre që ta çlirojnë veten.

Kryeministri Kurti theksoi se BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë,ka thënë Kurti ndër të tjera në fjalimin e tij. /Periskopi/

Shpërndaje në: