Albini ndjek modën: Stilistët “Kujta dhe Meri” aderojnë në Vetëvendosje

Albini ndjek modën: Stilistët “Kujta dhe Meri” aderojnë në Vetëvendosje

Kujtim dhe Meri Berisha, dy bashkëshortët, dhe stilistët me përvojë profesionale në botën e modës, iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i kësaj partie Albin Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë mundësi për talentet, krijuesit dhe firmat vendore, në industrinë e tekstilit dhe modës.

“Kujtimi, qysh në moshë të hershme e përpunoi talentin e tij drejt një firme prodhuese që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në industrinë e modës. Puna dhe kreativiteti i tij e takuan atë me Merin, po ashtu të talentuar në këtë lëmi, dhe prej atëherë ata i ndërthurën rrugët krijuese drejt sukseseve në fushën e stileve elegante të modës”, ka shkruar Kurti.

“Kështu, fjala për markën Kujta & Meri filloi në Kosovë, për të hyrë më pas nëpër institucione të rëndësishme të modës edhe jashtë vendit. Në vitin 2009, ata morën pjesë në Javën e Modës në Milano, e cila u vlerësua shumë nga mediat italiane duke u siguruar atyre ftesë në prezantimin e koleksionit për gra në Javën e Modës që u mbajt nga Critical Fashion në po atë qytet. Si rezultat i vlerësimeve, sidomos prej kritikëve të dizajnit në këtë industri, ata u ftuan të marrin pjesë po atë vit edhe në Ekspozita Houte Couture Art & Galeria në Milano. Në vitin 2014, ata prezantuan fustane në Javën e Modës në Berlin”, ka thënë më tej ai.

Kurti ka thënë se krijimi i Kujtës dhe Merit shënon depërtimin e parë të krijuesve shqiptarë nga Kosova në tregun e qendrave botërore të modës si Milano, Romë, Palermo dhe Berlin.

“Gjersa Kujta dhe Meri tregojnë arritjet e talentit dhe kreativitetit, këto qendra botërore tregojnë për investimin e shteteve në këtë industri të rëndësishme, miliardash, për ekonominë sot. Shteti ynë duhet të ofrojë më shumë mundësi për talentet, krijuesit dhe firmat vendore, në industrinë e tekstilit dhe modës. Kujta dhe Meri dëshirojnë të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe komunitetin e dizajnit në Kosovë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: